Ish-deputeti i PS Pandeli Majko, ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, si dhe raportimeve të medias malazeze “Vijesti” që pretendojnë se Shqipëria dhe Serbia po kryejnë veprimtari të koordinuara hibride për destabilizimin e Podgoricës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Majko i cilësoi si mjaft shqetësuese paralajmërimet e kreut të qeverisë malazeze, veçanërisht nënkuptimin e medias “Vijesti” se dy vendet fqinje të përfshira janë Shqipëria dhe Serbia.

Majko nënvizoi se aludime të tilla vënë nën akuzë Shqipërinë, e cila nuk ka asnjë “dashuri” gjeopolitike me Serbinë për të vepruar në mënyrë të sinkronizuar. Ai shtoi se pretendime të kësaj natyre mbeten të çuditshme sa kohë që nuk shoqërohen me hapa zyrtarë, siç janë notat diplomatike apo ngritja e çështjes në strukturat drejtuese të NATO-s.

Më tej, ish-kryeministri shqiptar vuri në dukje se politika e Malit të Zi ka pasur historikisht një trashëgimi të qëndrimeve të sofistikuara për sa i përket bashkëjetesës me fqinjë që kanë marrëdhënie jo miqësore mes tyre. Sipas tij, me këtë qëndrim, Spajiç ka dalë përtej kësaj linje historike duke e vendosur shtetin e tij në udhëkryq.

Majko i bëri thirrje autoriteteve malazeze të sqarojnë situatën: “Mali i Zi duhet të japë shpjegime nëse jemi përballë një skandali rajonal, ku një vend i NATO-s po ‘sulmon’ një anëtar tjetër të kësaj aleance! Në të kundërtën, duhet të pranojë se janë komente emocionale, të paprovuara në rrjetet sociale!”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb