Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin lidhur me situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit. Në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë nën mbikëqyrje.
Ndërsa sipas Ministrisë së Mbrojtjes për menaxhimin e situatës janë angazhuar në total 481 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse.
Në mbështetje të strukturave vendore janë angazhuar gjithashtu 105 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse të FA-së, 3 helikopterë dhe 1 avion AIR TRACTOR.
Vatrat aktive janë të përqendruara në qarqet Tiranë dhe Dibër.
Në Malin e Dajtit vijon puna pas riaktivizimit të tre vatrave, me angazhimin e 25 forcave zjarrfikëse/AZM dhe 20 efektivëve të FA-së.
Në qarkun Dibër aktive mbeten vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal, Sllatinë dhe Komsi.
Në Vajkal janë aktualisht të angazhuar 61 forca, përfshirë 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Sllatinë operojnë 78 forca; në Komsi janë angazhuar edhe 25 efektivë të FA-së. Sipas raportimit, nuk ka rrezik për zonat e banuara në këto vatra.
Në Elbasan, vatrat në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Gjatë ditës së djeshme pati ndërhyrje të konsiderueshme edhe në Tërbaç, Vranisht të Himarës, ku u angazhuan forca tokësore, 2 helikopterë dhe 1 AIR TRACTOR, si dhe në Xhyrë të Librazhdit, ku ndërhyri edhe 1 helikopter i FA-së; të dyja vatrat janë deklaruar të fikura.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
