Alarm në Aeroportin “Diagoras” të Rodosit, pasi një avion i Olympic Air, me 33 pasagjerë dhe tre anëtarë ekuipazhi në bord, u detyrua të kthehej në aeroport pak pas nisjes drejt Karpathosit. Avioni, një ATR 42-600 me numër fluturimi OA94, shfaqi tym nga njëri prej dy motorëve, pasi në sistemin e vajit u evidentua një problem teknik. Sipas informacioneve paraprake, tymi nuk ishte shkaktuar nga zjarr në motor, por nga defekti i konstatuar në sistem.

Pasi ekuipazhi sinjalizoi problemin, në aeroportin e Rodosit u aktivizuan procedurat përkatëse të sigurisë. Kapiteni vendosi të rikthehej në “Diagoras”, ku avioni u ul në mënyrë të sigurt vetëm pak minuta pasi ishte raportuar defekti.

Pasagjerët zbritën normalisht nga avioni dhe nuk pati nevojë për evakuim emergjent, pasi nuk bëhej fjalë për zjarr apo një incident më të rëndë.

Udhëtarët kanë mbetur përkohësisht në aeroport, në pritje të një avioni tjetër që do t’i transportojë drejt Karpathosit. Ndërkohë, avioni ATR 42-600 do t’i nënshtrohet kontrolleve teknike për të përcaktuar me saktësi shkakun e problemit në sistemin e vajit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: