Protesta përpara godinës së kryeministrisë është shoqëruar me një fjalim me tone të forta e mjaft prekës nga një emigrant shqiptar i rritur dhe i arsimuar në Itali. Duke marrë fjalën nga podiumi, ai ka denoncuar shkëputjen e klasës politike nga realiteti, duke bërë thirrje për qëndresë paqësore përmes forcës së fjalës së lirë dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve brenda e jashtë vendit.

Gjatë fjalës së tij, ai rrëfeu se ndonëse është larguar që i vogël nga Shqipëria dhe ka studiuar me sakrifica në emigrim, padrejtësitë e përditshme prekin ndërgjegjen e çdo shqiptari. Ai akuzoi ashpër drejtuesit e vendit për arrogancë, duke i krahasuar veprimet e tyre me periudhën e Marie Antuanetës në Francë.

“A është e qartë që e gjithë piramida e klasës politike jeton në një botë paralele? Fytyrat i kanë prej bronzi, nuk skuqen e nuk nxihen. Fytyrat e tyre flasin shumë, e kanë mendjen e mprehtë, por zemrat i kanë blozë. Nuk ka ndjenja, nuk kanë shpirt njerëzor. Situata duket si ajo e Marie Antuanetës kur populli s’kishte bukë e ajo thoshte të hanin briosh. Fjalori dhe veprimet e kësaj klase politike janë të dhunshme dhe qëllimisht arrogante.”

Ai nënvizoi se forca kryesore e kësaj lëvizjeje nuk është dhuna, por fjala e lirë dhe argumenti i drejtë. Duke cituar një thënie të mbretëreshës Elizabeth për forcën e një kandili që mund errësirën, ai deklaroi se protesta po përçon mesazhin e madh se pushteti ka rënë moralisht.

Sipas tij, protesta po thotë me shumë fuqi se mbreti është lakuriq, një e vërtetë që e shohin të gjithë, por që shumë nuk e shprehin për shkak të frikës apo interesave personale. Ai e krahasoi sistemin aktual me një kancer parazitar që ushqehet nga vetë qytetarët, duke theksuar se njohja e sëmundjes është hapi i parë drejt shërimit të vendit.

Në përmbyllje, ai apeloi se shqiptarët nuk duhet të presin zgjidhje nga fuqitë e huaja që kanë agjendat e tyre në këtë epokë të trazuar, por duhet të marrin në dorë fatet e tyre rreth flamurit kombëtar.

Ai i bëri thirrje rinisë për ide të reja që ndreqin sistemin e kalbur dhe propozoi që në çdo mbrëmje proteste, shqiptarët anë e mbanë botës të mbajnë një minutë heshtje për të gjithë viktimat e padrejtësive që përjetohen në Shqipëri, duke e mbyllur fjalën me urimin për bekimin dhe lartësimin e vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb