Kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Isa Myzyraj, ka kundërshtuar rregulloren e re të GJKKO-së, e cila sipas gazetarëve kufizon aksesin dhe punën e medias pranë gjykatës. Në një dalje për mediat, Myzyraj deklaroi se organizatat e gazetarëve janë bashkuar kundër masave të reja, duke e cilësuar situatën si një “distancë të rrezikshme mes gjykatës dhe gazetarëve”.
Sipas tij, përfshirja e medias në rregulloren e sigurisë së gjykatës është një akt i paprecedentë dhe cenon veçanësinë e sektorit mediatik.
Ai theksoi se institucionet e tjera, përfshirë Parlamentin, kanë rregulla të veçanta për median dhe se, sipas tij, rregullat për masmedian nuk mund të përfshihen në rregulloren e sigurisë së gjykatës. Myzyraj tha gjithashtu se AGSH është në komunikim të vazhdueshëm me organizatat europiane që prej fillimit të gushtit dhe se ato janë informuar për situatën.
“Jemi bashkë dhe jemi kundër masave. Distancë e rrezikshme mes gjykatës dhe gazetarëve. Edhe futja e mediave te rregullorja e sigurisë është akt i paprecedentë. Media është sektor i veçantë. Çdo sektor, si parlamenti apo dhe institucionet tjera, rregulloreb e medias e kanë të veçantë. Nuk mund të futet rregullorja e masmedias në rregulloren e sigurisë. Ne jemi në komunikim të përdirtshmnë që në fillim të gushtit me të gjitha organizatat e BE, i kemi informuar dhe të gjithë jemi në pritje. Për hir të së vërtetës kemi menduyar se do të ketë një reflektim, pork jo gjë nuk ka ndodhur. Do të presim në orët dhe ditët në vijim për vendimarrjen e përbashkët se si do t’i qasemi mbylljes së gjykatave.”, tha ai.
