TIRANË – Protesta e 94-t kundër qeverisë së Edi Ramës është përshkallëzuar mbrëmjen e kësaj të marte përpara Kryeministrisë, ku protestuesit kanë ndryshuar skenarin e tubimit dhe kanë bllokuar hyrjet e godinës.
Pas marshimit nga sheshi “Skënderbej”, ndryshe nga ditwt e tjera kur qytetarët zhvendoseshin para Kryeministrisë ku mbaheshin fjalimet, protestuesit kanë vendosur të qëndrojnë përpara hyrjeve të godinës.
Në duart e qytetarëve shihen flamuj kombëtarë, pankarta dhe simbole të “Revolucionit Flamingo”, ndërsa thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit kanë vijuar gjatë gjithë mbrëmjes.
“Arrestoni Ramën”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Ju erdhi fundi” janë ndër thirrjet që kanë jehuar në shesh.
Protestuesit kanë mësuar se kryeministri Edi Rama ndodhej brenda godinës së Kryeministrisë dhe për këtë arsye kanë bllokuar hyrjet, duke i bërë thirrje kryeministrit të dalë në bulevard.
Përballë protestuesve është vendosur kordon i forcave të Policisë së Shtetit. Efektivët kanë tentuar t’i largojnë qytetarët nga zona përpara godinës, por protestuesit kanë kundërshtuar dhe kanë vijuar qëndrimin e tyre. Situata është tensionuar më tej, me përplasje të përsëritura mes protestuesve dhe efektivëve. Raportohet gjithashtu për rritje të numrit të personave të shoqëruar nga policia.
Në terren janë angazhuar forca të shumta policie, përfshirë FNSH-në, ndërsa pranë Kryeministrisë është pozicionuar edhe një autobot uji. Në zonë ndodhen gjithashtu drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët po ndjekin situatën.
Në një moment të përshkallëzimit, është hedhur ujë në drejtim të protestuesve, ndërsa qytetarët kanë vijuar të rezistojnë përballë kordonit policor.
Tubimi i sotëm shënon ditën e 94-t të protestave të njëpasnjëshme kundër qeverisë. Ndryshe nga protestat e mëparshme, ku qytetarët qëndronin kryesisht në bulevard dhe më pas zhvillonin marshime në Tiranë, këtë herë protestuesit kanë kaluar drejt një forme më të drejtpërdrejtë të mosbindjes civile duke bllokuar hyrjet e Kryeministrisë. Organizatorët kanë deklaruar më herët se gjatë muajit shtator protesta do të hyjë në një fazë të re, me aksione të mosbindjes civile dhe presion më të madh ndaj qeverisë.
Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e Edi Ramës, ndërsa protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila do të përgatiste vendin për zgjedhjet e ardhshme. Në platformën e protestës përfshihen edhe kërkesa për ndryshime dhe shfuqizime të disa nismave ligjore.
