Dy incidente me lëndë plasëse janë regjistruar në orët e para të mëngjesit në Durrës, duke shkaktuar dëme të lehta materiale.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11, në derën e jashtme të një lokali në pronësi të shtetasit G. K. është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme të lehta materiale.
Rreth 40 minuta më vonë, në orën 04:30, një tjetër sasi lënde plasëse është hedhur në derën e garazhit të një automjeti, në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës Plepa–Ndroq. Edhe në këtë rast janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Pas dy ngjarjeve, grupet hetimore kanë nisur punën për dokumentimin e plotë të rasteve dhe mbledhjen e provave.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të këtyre dy incidenteve, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
