Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ironizuar kryeministrin Edi Rama lidhur me masat e ndërmarra së fundmi nga vendet fqinje për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi i ka cilësuar me ironi këto masa si “komplote të reja të fqinjëve ndaj Edi Ramës”, duke argumentuar se qeveritë e Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi po ndërmarrin politika që lehtësojnë qytetarët e tyre, ndërsa sipas tij Shqipëria nuk po ndjek të njëjtën qasje.

Këlliçi ndalet fillimisht te Greqia, duke iu referuar marrëveshjes për uljen e çmimeve të një numri të madh produktesh. Sipas tij, ulja e kostos për qytetarët grekë përbën një “goditje” ndaj Ramës, pasi e vendos qeverinë shqiptare në një pozicion më të pafavorshëm në raport me fqinjët. Ai vijon me Maqedoninë e Veriut, duke iu referuar uljes së akcizës së karburantit dhe diferencës së çmimit të naftës me Shqipërinë. Në të njëjtën linjë, deputeti i PD-së përmend edhe Malin e Zi, ku sipas tij është ulur akciza e karburantit. Këlliçi pretendon se qytetarët shqiptarë kanë paguar dhjetëra milionë euro më shumë për karburantin gjatë muajve të fundit, duke e lidhur këtë me mungesën e masave nga qeveria shqiptare.
Këlliçi ngre gjithashtu shqetësimin për nivelin e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri, duke argumentuar se kostoja e jetesës është ndër më të lartat në rajon. Në fund, ai e mbyll reagimin me ironi, duke iu referuar edhe debatit për shishen e verës me vlerë 33 mijë euro, të konsumuar nga kryeministri Rama.

Statusi i plotë:
Komplote të reja të fqinjëve ndaj Edi Ramës!!!
Qeveritë fqinje kanë ndërmarrë disa komplote dhe lëvizje të forta kundër Edi Ramës dhe qeverisjes së tij, me akte konkrete!
Qeveria greke ka arritur një marrëveshje me përfaqësuesit e biznesit, për uljen e çmimit të 1 mijë e 600 produkteve në masën 30 përqind. Qytetarët grekë do të paguajnë më pak, ndërkohë që qeveria atje do të lehtësojë furnizuesit e ushqimeve.
Kjo është një goditje ndaj Edi Ramës i cili nuk ka ndërmarrë asnjë nisëm për zbutjen e shtrenjtimit të kostos së jetesës. Bëhet me qëllim që ai të duket keq para qytetarëve.
Nuk ngelet pas qeveria e fqinjit tjetër, ajo e Maqedonisë së Veriut. Së fundmi, ata vendosën ta ulin akcizën e karburantit dhe për pasojë 1 litër naftë atje është 1.5 euro. Këtu tek ne është më shumë se 2.2 euro litri. Shkupi e bën këtë që ta nxjerrë Edi Ramën në dritë të keqe, si Kryeministri që nuk merr asnjë masë për të lehtësuar qytetarët e tij.
Edhe fqinji tjetër, Mali i Zi i dha një goditje të fortë Edi Ramës në fund të gushtit duke ulur akcizën e karburantit, dhe qytetarë atje e blejnë një litër naftë me 1.8 euro. Këtu tek ne, përllogaritet se për 5 muaj, nga marsi në korrik, qytetarët shqiptarë kanë paguar për karburantin 80 milionë euro më shumë se sa në të njëjtën periudhë e vitit më parë. Këto para shkojnë të gjitha tek Edi Rama i cili i ndan sipas interesave të tij me miqtë dhe klientët.
Çmimet e ushqimeve janë më të lartat në rajon dhe 3 përqind më të larta se sa mesatarja e Bashkimit Europian.
Me këto masa që kanë marrë qeveritë e vendeve fqinje për qytetarët e tyre, konfirmohet teza e Edi Ramës se ka komplote ndaj tij dhe përpjekje për të minuar suksesin e madh. Dhe në të vërtetë, asnjë nga kryeministrat e rajonit apo më gjërë, nuk ja ka dalë që të pijë verë 33 mijë euro shishja, siç bën Edi Rama.
Më kot mundohen të komplotojnë ndaj tij, askush nuk arrin në këtë standard.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb