Partia Demokratike Evropiane (EDP) i është drejtuar zyrtarisht gjigantit teknologjik Meta duke kërkuar përgjigje urgjente për pezullimin dhe bllokimin e llogarive të figurave opozitare dhe faqeve që mbulojnë protestat qytetare në Shqipëri.

Përmes një deklarate zyrtare, EDP shpreh shqetësimin e thellë për mbylljen e papritur të dhjetëra profileve në Instagram, mes të cilave ndodhet edhe ajo e kreut të Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, si dhe e aktivistëve e kritikëve të tjerë të qeverisë. Eurodeputetët dhe drejtuesit e EDP-së e cilësojnë këtë akt si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe pluralizmit demokratik.

Në kërkesën e saj drejtuar drejtuesve të kompanisë Meta, Partia Demokratike Evropiane kërkon një hetim të menjëhershëm për të zbardhur nëse ky bllokim masiv ka ardhur si pasojë e sulmeve të koordinuara kibernetike apo raportimeve false të organizuara për të heshtur zërat kritikë në Shqipëri.

“Është e papragueshme që platformat e rrjeteve sociale të përdoren apo të manipulohen si mjete për të censuruar opozitën politike dhe fjalën e lirë në një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Meta duhet të japë sqarime të menjëhershme dhe të rivendosë pa vonesë llogaritë e bllokuara,” nërmarrin drejtuesit e EDP-së.

Ky reagim i nivelit evropian vjen në një kohë kur në Tirana vijojnë protestat popullore, ndërsa eksponentë të opozitës kanë denoncuar se mbyllja e mbi 200 faqeve në Instagram përbën një përpjekje të hapur të pushtetit për të bllokuar informimin e qytetarëve mbi aksionin opozitar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb