Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas mbylljes së faqes së tij në Instagram, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion dhe censurë ndaj zërave opozitarë dhe faqeve që mbështesin protestën.

“E paprecedentë! Edi Rama arriti të mbyllë me qindra faqe Instagrami të protestuesve që mbështesin protestën prej 3 muajsh. Ka mbyllur dhe faqen time të Instagramit”, deklaroi Shehaj.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Balkanweb (@balkanweb_official)

Sipas tij, kjo po ndodh pasi pushteti i Ramës po dobësohet dhe rrjetet sociale po luajnë një rol gjithnjë e më të madh në informimin e qytetarëve.

“Falë rrjeteve sociale, qytetarët po kuptojnë që Edi Rama është një kryeministër i korruptuar që është pasuruar në kurriz të popullit më të varfër në Europë. Nëse nuk do të kishte qenë për rrjetet sociale, Rrjolli nuk do të ishte bërë çështje. Nëse nuk do të kishte qenë për rrjetet sociale, protesta nuk do të ishte bërë masive”, tha Shehaj.

Ai theksoi se, sipas tij, presioni ndaj opozitës ka arritur deri te mbyllja e faqes së Instagramit të kryetarit të një partie opozitare.

“Edi Rama arriti deri aty sa mbylli faqen e Instagramit të kryetarit të një partie opozitare. Më kanë çuar njerëz deri te dera e shtëpisë, më kanë përjashtuar 140 ditë nga parlamenti. Na kanë kërcënuar! Paguajnë zagarë nëpër media të na sulmojnë, të hedhin baltë, por ne nuk ndalemi”, deklaroi Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia tha se opozita do të vijojë denoncimet dhe se për situatën do të informohen edhe institucionet ndërkombëtare.

“Do vazhdojmë të bëjmë opozitë. Do iu drejtohemi të gjithë institucioneve ndërkombëtare: Kongresit Amerikan, Parlamentit Europian. Të gjithë duhet të dinë që Edi Rama po e kthen Shqipërinë në një autokraci që po kërkon të mbajë pushtetin me dhunë kundër vullnetit të popullit shqiptar”, përfundoi Shehaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb