Në nisje të muajit shtator, aktivisti Ilir Xhemalaj ka adresuar dy mesazhe të forta nga sheshi i protestës, duke vënë theksin te roli i arsimit dhe kushtet e vështira me të cilat përballen mësuesit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Xhemalaj u bëri apel mësuesve që t’u brjosin nxënësve frymën e atdhedashurisë dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre. Ai nënvizoi se beteja e protestuesve po bëhet pikërisht për të ardhmen e këtij brezi, ndaj kërkoi nga arsimtarët t’i mësojnë fëmijët të ngrihen e të luftojnë sa herë të shohin se vendi po cenohet apo se po bëhet një e padrejtë.
Aktivisti adresoi një kërkesë të drejtpërdrejtë ndaj shefit të qeverisë për rritjen e menjëhershme të pagave në arsim. Sipas tij, në një shtet demokratik mësuesit duhet të paguhen më shumë se kushdo tjetër, madje edhe më shumë se vetë kryeministri, pasi ata kanë arsimuar secilin prej drejtuesve të sotëm. Xhemalaj denoncoi kushtet skandaloze me të cilat përballen arsimtarët shqiptarë, të cilët detyrohen të punojnë me dy turne dhe me klasa të mbingarkuara me nga 40 fëmijë, përballë një shpërblimi financiar që e cilësoi si qesharak.
