Federata e Futbollit e Kosovës ka pranuar një letër falënderimi dhe vlerësimi nga FIFA për angazhimin dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm në themelimin e FIFA Talent Academy Kosova.

Në letrën drejtuar presidentit të FFK-së, Agim Ademi, udhëheqësi i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, Arsène Wenger, ka shprehur mirënjohjen e FIFA-s për presidentin Ademi dhe të gjithë ekipin e FFK-së për përkushtimin dhe bashkëpunimin shembullor gjatë këtij procesi.

Wenger ka theksuar se përkushtimi i FFK-së ka qenë vendimtar në çuarjen përpara të kësaj iniciative, duke e vlerësuar inaugurimin e mbajtur në Prishtinë si një moment historik dhe dëshmi të profesionalizmit, ekselencës organizative dhe pasionit për zhvillimin e futbollit.

“Përkushtimi juaj i patundur ka qenë vendimtar në çuarjen përpara të kësaj iniciative. Ngjarja historike e mbajtur në Prishtinë qëndron si një dëshmi e profesionalizmit, ekselencës suaj organizative dhe pasionit për zhvillimin e futbollit”, ka shkruar Wenger.

Ai ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen dhe burimet e ofruara nga FFK-ja gjatë gjithë procesit, nga përshtatja me standardet e FIFA-s deri te organizimi dhe prezantimi i vizionit të federatës.

Sipas Wenger, këto përpjekje dëshmojnë rolin e rëndësishëm të Kosovës në kultivimin e talenteve të futbollit dhe krijojnë një model që mund të shërbejë edhe për vende të tjera.

“Mezi presim ta fuqizojmë më tej partneritetin tonë teksa ecim përpara në këtë kapitull të ri e emocionues. Së bashku, mund të vazhdojmë të ndërtojmë një trashëgimi të qëndrueshme për futbollin në Kosovë e më gjerë”, thuhet në letrën e Wengerit.

Në fund të letrës, FIFA ka falënderuar edhe një herë presidentin Ademi dhe FFK-në për kontributin e tyre në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e talenteve të reja në Kosovë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb