Aktivisti Arben Kola është liruar pas 72 orësh qëndrimi në qeli, ndërsa në një komunikim për News24 deklaroi se protesta kundër qeverisë nuk do të ndalet.

Kola u shpreh se vendimi i gjykatës për lirimin e tij tregon, sipas tij, se arrestimi ka qenë i paligjshëm. Aktivisti akuzoi gjithashtu qeverinë se po përballet me protestuesit përmes dhunës, ndërsa theksoi se përgjigjja e tyre do të jetë paqësore.

“Gjykata e dha verdiktin e saj, arrestimi ishte i paligjshëm. Kjo tregon që Ramoviçi ka vendosur të përballet me dhunë, ne i përgjigjemi me paqe. Unë protestoj për rrëzimin e kësaj qeverie të korruptuar që ka shkatërruar Shqipërinë”, tha Kola.

Edhe aktivisti Edison Lika u shpreh se arrestimet nuk do t’i ndalin protestat, duke bërë thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve.

“Protestojmë për sigurinë, kundër bandave kriminale. Ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohen sot e çdo ditë në shesh. Ky regjim duhet rrëzuar njëherë e mirë”, deklaroi Lika.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb