Në nisje të tubimit para godinës së Kryeministrisë, një nga aktivistët e protestës ka mbajtur një fjalim të fortë përpara turmës së qytetarëve, duke u ndalur te vendimi i fundit i gjykatës që shpalli të paligjshëm arrestimin e 14 protestuesve paqësorë të ndaluar më 1 shtator.

Aktivisti vuri në dukje se megjithëse kishte bërë thirrje vazhdimisht për ruajtjen e uniformave të rendit, veprimet e policisë gjatë protestës së tri ditëve më parë treguan se efektivët vepruan “nën urdhrat e bandave të korrupsionit”. Ai lëshoi akuza të drejtpërdrejta ndaj organit të akuzës për caktimin e masës së ndalimit.

“Policia arrestoi protestues paqësorë. Prokurori që kërkoi masën e arrestit prej 3 ditësh për secilin nga 14 të ndaluarit, gjithsej 42 ditë, duhet të qëndrojë vetë 42 ditë në të njëjtin burg për të larë borxhin ndaj qytetarëve të mbajtur padrejtësisht. Dua të falënderoj gjykatësen e pakapur nga bandat e krimit, e cila mori vendimin e drejtë, i shpalli të pafajshëm dhe konstatoi paligjshmërinë e arrestit,” deklaroi ai para turmës.

Më tej, ai u ndal te tentativat e pretenduara të kryeministrit Edi Rama për të nxitur përplasje fizike mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Ai i bëri thirrje protestuesve të mos bien pre e provokimeve, por të fokusojnë të gjithë energjinë te denoncimi i korrupsionit qeveritar.

“Edi Rama ka tentuar të përplasë protestuesit me policinë. Energjitë tona duhet t’i përqendrojmë te korrupsioni dhe qeveria kriminale. I bëj thirrje policisë të ketë kujdes me reagimet dhe policët të mos u nënshtrohen dëshirave të komandantëve të tyre patronazhistë,” përfundoi ai nga platforma e protestës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb