Zjarri vijon të jetë aktiv edhe gjatë ditës së sotme në kodrat e Frakullës, ku po operohet me ndërhyrje nga ajri me dy avionë Air Tractor dhe me ndërhyrje tokësore. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë filluar operacionin për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Frakull 90 trupa të ushtrisë të Repartit të Poshnjes. Zjarri është aktiv në një masiv me pisha, me një prezencë të lartë tymi, ndërkohë që në këtë perimetër të vatrës së zjarrit po punojnë edhe 7 mjete zjarrfikëse me efektivët përkatës. Vatra vijon edhe në drejtim të fshatit Peshtan, një zonë e paaksesueshme nga mjetet, por larg zonave të banuara.
Ndërkohë, të gjithë banorët e evakuuar gjatë ditës së djeshme janë kthyer në banesat e tyre, mes tyre dhe 4 personat e asfiksuar që morën ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit. Sipas burimeve nga spitali, veç tre personave të asfiksuar mesditën e djeshme, një i ri është paraqitur në mesnatë me shenja asfiksie, por është larguar në banesë pasi ka marrë ndihmën mjekësore.
Zjarri nisi paraditen e djeshme në Radostinë, ku përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe shkurre. Të favorizuara nga era e fortë, flakët u përhapën me shpejtësi drejt liqenit të Levanit, në afërsi të lokaleve dhe bizneseve të zonës. Terreni i vështirë ka vështirësuar edhe ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse, duke e bërë situatën të rrezikshme.
Përballë situatës kritike, pronarët kanë evakuuar stafet dhe klientët, ndërkohë që policia ka vendosur perimetrin e sigurisë. Flakët kapërcyen edhe rrugën nacionale Fier-Vlorë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve, por gjithashtu edhe linjën hekurudhore, duke ndaluar edhe treni që transporton naftën bruto nga Rafineria e Fierit drejt Vlorës.
Flakët iu afruan edhe karburanteve, një servisi automjetesh, dogjën një banesë të braktisur në Levan dhe një stallë bagëtish. 20 lopët që ndodheshin brenda u evakuuan në kohë, ndërkohë që u dogj një sasi e konsiderueshme baze ushqimore dhe disa mjete bujqësore.
Flakët iu afruan edhe banesave, por falë ndërhyrjes nga ajri, rreziku u largua prej tyre, ndërkohë që banorët kaluan momente paniku. Zjarri u përhap dhe drejt Peshtanit të Vogël, ku banorët e evakuuar pohuan plot indinjatë se, nëse do të ishte ndërhyrë në kohë, përshkallëzimi i flakëve mund të ishte parandaluar.
Për të parë nga afër situatën në terren, zbarkoi në Levan kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, i cili konfirmoi se zjarrvënia ishte e qëllimshme dhe ka kërkuar nga organet kompetente zbatim më të ashpër të ligjit për piromanët.
Z
jarri përfshiu 6 fshatra, mes të cilëve Fermë-Çlirim, Radostinë, Levan, Peshtan i Vogël, Frakull dhe Zhupan. Gjatë mbrëmjes, vatra e zjarrit u përhap drejt kodrave të Peshtanit, por dy helikopterët, një avion dhe shërbimet zjarrfikëse u tërhoqën për shkak të errësirës. Strukturat përgjegjëse qëndruan në monitorim përgjatë gjithë natës, ndërkohë që në orët e vona të mbrëmjes në Levan mbërriti dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili ka ndjekur nga afër situatën e krijuar nga zjarri në zonë.
Gjurmët e dëmeve gjatë ditës së sotme janë të dukshme, por ende nuk ka një bilanc paraprak të tyre. Ndërkohë, energjia elektrike në zonat e prekura mungon, ndërsa ka dhe riaktivizime vatrash, por të menaxhueshme.
