Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, me gazetaren Nisida Tufa, ka komentuar arrestimin e Ergys Agasit dhe lëvizjet e policisë pas ndalimit të tij në zonën e Plepave në Durrës.
Hoxha ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si u transportua Agasi pas arrestimit, duke deklaruar se fillimisht ishte planifikuar që ai të dërgohej në burgun e Durrësit, por më pas furgoni i policisë ndryshoi drejtim.
“Sapo u kap, njoftimi fillestar ishte që do të shkonte në burgun e Durrësit, por e kthyen në Qafë-Kashar. Këtë s’e di pse e kthyen, çfarë ndodhi për Bradasheshin”, tha Hoxha.
Gazetari e lidhi këtë ndryshim itinerari me një telefonatë të mundshme, duke ngritur pyetjen: “Kush e ka urdhrin?”. Sipas Hoxhës, arrestimi i Agasit mund të ketë një tjetër dimension përtej akuzave të bëra publike deri tani. Ai shprehu skepticizëm se Agasi do të vendosë të bashkëpunojë me hetimet apo të japë informacione për persona të tjerë.
“Nuk shpresoj që Agasi të flasë më. Agasi është arrestuar për t’iu mbyllur goja”, deklaroi Hoxha, duke theksuar se kjo është pikëpamja e tij mbi situatën. Ai shtoi se, sipas tij, Agasi mund të përballet me akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe se gjatë hetimit mund të ketë edhe zhvillime të tjera.
Hoxha u ndal edhe te fakti që Agasi, pavarësisht se ishte një person i përfolur publikisht, kishte vijuar të shfaqej në Tiranë. “Agasi këto kohë ka ndenjur në Tiranë. Po të ishte i shqetësuar, s’do të dilte. Kur del një njeri i tillë që është kaq i përfolur, del kur ka siguri”, tha ai.
Sipas gazetarit, pikërisht kjo sjellje ngre pyetje mbi atë se çfarë ka ndodhur pas arrestimit dhe nëse ka pasur shqetësime se Agasi mund të fliste. “Atje sipër është marrë vendimi: ‘Ore, mos po flet ky?!’”, u shpreh Hoxha. Duke folur për mundësinë që Agasi të bashkëpunojë me drejtësinë, gazetari tha se situata do të ishte më interesante nëse ai do të kishte përballë një tjetër realitet politik.
“Agasi do të ishte interesant si arrestim, nëse në pushtet do të ishte një parti tjetër dhe jo kjo tani. Aty ai mund të fliste dhe të bashkëpunonte me hetimet. Por çfarë i intereson atij që të flasë? Nëse ai flet, rëndon veten e vet”, deklaroi Artan Hoxha.
