Dëgjesat publike të organizuara për paktin e ri të Reformës Administrative-Territoriale në Qarkun e Elbasanit kanë dështuar për shkak të një pjesëmarrjeje tepër të ulët të qytetarëve. Pavarësisht kalendarëve zyrtarë të publikuar nga pushteti vendor, takimet e parashikuara në Belsh, Cërrik dhe Prrenjas janë përballur me salla thuajse bosh, duke ngritur hije dyshimi mbi nivelin e informimit të komuniteteve dhe seriozitetin e këtij konsultimi publik.
Projektligji i hartuar nga mazhoranca socialiste parashikon ndryshime rrënjësore në hartën administrative të Qarkut të Elbasanit:
-Bashkia e Belshit dhe Bashkia e Cërrikut parashikohet të shkrihen për t’u bërë pjesë e Bashkisë së Elbasanit.
-Bashkia e Prrenjasit parashikohet të asimilohet nga Bashkia e Librazhdit, duke krijuar një njësi të re më të madhe administrative.
Këto lëvizje kanë nxitur më parë reagime dhe protesta në Cërrik e Prrenjas, ku komunitetet lokale kanë shprehur kundërshtime ndaj bashkimit të propozuar dhe humbjes së autonomisë vendore.
Pavarësisht rëndësisë kritike që ka kjo reformë për organizimin e pushtetit vendor, taksat dhe ofrimin e shërbimeve publike, pjesëmarrja në dëgjesa ka qenë minimale:
Në Belsh Këshilli Bashkiak kishte parashikuar 5 dëgjesa publike në qytet dhe në njësitë administrative Kajan, Grekan, Fierzë e Rrasë. Megjithëse kalendari u njoftua që prej 10 gushtit, takimet dështuan të gjeneronin debat për shkak të mungesës së qytetarëve.
Në Prrenjas janë zhvilluar vetëm dy mini-takime me pjesëmarrje mjaft të ulët, ndonëse zona prekshëm drejtpërdrejt nga zhdukja si bashki më vete.
Në bashkitë që parashikohet të shkrihen, procesi i konsultimit ka marrë një karakter formal. Përballë këtij dështimi, Këshilli Bashkiak i Belshit pritet të mblidhet sërish për të miratuar një kalendar të dytë takimesh, me qëllim angazhimin e komunitetit përpara se institucionet vendore të dërgojnë qëndrimin e tyre zyrtar në Tiranë.
Mbetet për t’u parë nëse takimet e reja do të sjellë reagim qytetar apo nëse Reforma e re Territoriale do të kalojë mbi një proces konsultimi që në fazën e parë rezultoi tërësisht fiktiv.
