Protesta masive e radhës përpara Kryeministrisë ka përshkallëzuar mesazhet e saj unifikuese, ku nga platforma e fjalimeve u bë thirrje e drejtpërdrejtë për një “besëlidhje” popullore mes të gjitha grupimeve qytetare e politike për të shkuar deri në fund të revoltës.
Aktivisti i pranishëm në shesh theksoi se përmasat e rezistencës e kalojnë çdo kornizë të ngushtë organizative, ndërsa e tregoi praninë e protestuesve si një ortek që ka pushtuar gjithë bulevardin kryesor të kryeqytetit.
“Kjo protestë do të vijojë të jetë para Kryeministrisë. Kjo protestë është aq e madhe sa vetëm populli e ka në dorë si do të vijojë në të ardhmen! Kjo protestë nis nga Sheshi Skënderbej deri te ‘Nënë Tereza’. Shumë nga ne që jemi çdo ditë këtu, duke u organizuar, shohim se ka shumë grupime që duan të bashkohen me njëri-tjetrin dhe të bëjnë më të mirën për këtë protestë,” u shpreh ai para turmës.
Në fjalën e tij, aktivisti u ndal veçanërisht te rëndësia e ruajtjes së unitetit përballe ekzekutivit, duke kërkuar që të ndalen përçarjet ose kritikave ndaj faktorëve të ndryshëm që i janë bashkuar sheshit.
“Të gjitha grupimet këtu nuk janë ose të mira ose të këqija, nuk janë ose me protestën ose kundër saj. Të gjitha grupimet kanë edhe elemente problematike brenda tyre, por të gjitha janë pro kësaj proteste dhe të vendosura të shkojnë deri në fund. Të jemi të kujdesshëm dhe të mos akuzojmë njeri sepse kjo e dëmton protestën. Duhet të jemi të bashkuar! A duam të krijojmë një besëlidhje? Besëlidhje po kërkojmë! Të qenit bashkë ka nevojë për sakrificë edhe nga vetja. Ka ardhur koha të tregohemi me zemër të hapur dhe e keqja zmbrapset vetë!” deklaroi ai.
