Çdo epokë politike ka fundin e vet biologjik. Jo gjithmonë ky fund përkon edhe me fundin institucional.
Berishizmi dhe Ramizmi janë dy anë të së njëjtës medalje. Dy viruset e demokracisë shqiptare. Ramizmi ushqen Berishizmin. Berishizmi ushqen Ramizmin.
Për shumë shqiptarë, largimi i Ramës është bërë i domosdoshëm. Por pyetja që shtrohet është tjetër: a do të largohet Ramizmi bashkë me të? Arkitektura e pushtetit që ai ka ndërtuar rreth vetes nuk zhbëhet menjëherë. Kemi parti pa dëgjim të brendshëm. Institucione pa shtyllë kurrizore. Media pa oksigjen. Opozitë e mësuar të humbasë.
Ramizmi nuk është vetëm pushtet i përqendruar te një lider. Është një kulturë politike ku kundërshtimi shihet si pengesë, mosdakordësia si problem dhe pluralizmi si dobësi. Është pamundësia për të toleruar mospajtimin. Përçarja e shqiptarëve është mjeti i sundimit.
Për pasojë, Shqipëria pas-ramiste rrezikon që të jetë thjesht Shqipëria ramiste pa Ramën. Të njëjtat reflekse, tjetër fytyrë. E njëjta varësi nga një njeri i vetëm, thjesht me emër tjetër.
Sot kemi në pushtet një person dhe shumë vartës. Shumëçka bëhet për ta kënaqur atë. Emërimet bëhen për t’i shërbyer atij.
Edhe drejtësia duhet të dijë të mbajë distancën nga pushteti. Marrëdhënia mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv është bërë pjesë e spektaklit politik. Problemi nuk është te një batutë. Është te perceptimi i pavarësisë. Drejtësia nuk duhet vetëm të jetë e pavarur. Duhet edhe të duket e tillë. Në një demokraci, distanca institucionale nga pushteti nuk është ftohtësi. Është garanci.
Sot, çdo fjalim ndryshimi mbetet thjesht një ndryshim fjalimi. Transparenca e procesit nuk është transparencë e pushtetit. Demokracia kërkon diçka më të madhe. Qytetari duhet të dijë ku ndodhet pushteti përballë tij dhe kush mban përgjegjësi për të.
Problemi i Shqipërisë nuk është vetëm se kush do të vijë pas Ramës, por fakti se pasardhësi do të gjejë një makinë pushteti tashmë të ndërtuar. Shqipëria pas-ramiste nuk mund të tkurret në një rrotacion mekanik elitash. Të besosh se thjesht zëvendësimi i administratës dhe pastrimi i korrupsionit mjaftojnë, do të thotë ta reduktosh Republikën në një bashki të mirëmenaxhuar.
Sfida reale e dekadës së ardhshme nuk është se kush do të ulet në karriget e vjetra, por nëse këto institucione kanë kapacitetin për të ndërtuar një shtet të aftë që të mbrojë qytetarin. Ky sistem nuk mbahet gjallë vetëm nga frika. Mbahet nga rregullat e lojës që vetë klasa politike ka shkruar.
Kjo kulturë ushqehet nga arkitektura e mbyllur e përfaqësimit politik, që ka dobësuar demokracinë e brendshme të partive dhe e ka kthyer deputetin në ushtar të kryetarit. Ushqehet nga një ekonomi e përqendruar klienteliste, ku mbijetesa e qytetarit apo biznesit është bërë e varur drejtpërdrejt nga vullneti i qeverisë. Nuk mund të presim qytetarë të lirë në një treg të kapur.
Klasa aktuale politike nuk do t’i ndryshojë këto rregulla vullnetarisht. Perëndimi mund ta ketë toleruar “stabilitokracinë” në emër të qetësisë ballkanike, por me avancimin e procesit të integrimit në BE, kërkohen institucione të pavarura që nuk mund të simulohen më. Ndryshimi i rregullave të lojës do të jetë çmimi i pashmangshëm i kësaj faze të re.
Shqipëria pas-Ramiste nuk mund të ndërtohet thjesht përmes thirrjeve romantike për ndërgjegjësim. Për të zhbërë këtë kulturë, duhen rregulla që e bëjnë të pamundur rikthimin e saj.
Së pari, reformë zgjedhore që rikthen konkurrencën reale dhe pushtetin e votuesit mbi përfaqësuesin.
Së dyti, çlirimi i ekonomisë nga klientelizmi, për të prerë litarin e varësisë ekonomike të qytetarit nga qeveria.
Së treti, ribalancimi institucional. Forcimi i balancave midis pushteteve për ta bërë pushtetin ekzekutiv të kushtëzuar, jo absolut.
Shqipëria nuk ka nevojë për liderin e radhës që premton të bëjë gjithçka. Nuk ka nevojë as për qytetarë që duhet të sillen si heronj. Ka nevojë për institucione dhe rregulla që nuk lejojnë askënd të bëjë gjithçka.
Shqipëria do të hyjë në fazën e re të demokracisë kur frika nga ligji të jetë më e madhe se frika nga “Maliqi”.
