Nga Genc Burimi
Në Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet afatmesme mbahen pas dy muajsh. Mbrojtja e jetës private po bëhet pjesë e fushatës me një zemërim qytetar kundër kamerave që lexojnë automatikisht targat e makinave. Këto kamera që funksionojnë me inteligjencë artificiale po shtohen kudo në territorin amerikan dhe janë pre e abuzimeve nga organet që I kontrollojnë.
Bëhet fjalë për kamerat Flock, që mbajnë emrin e liderit të këtij sektori. Kompania Flock ka instaluar më shumë se 120,000 të tilla në të gjithë SHBA-të. Flock filloi të bashkëpunonte me policinë amerikane në vitin 2020, dhe sot vlera e kompanisë I tejkalon 8 miliardë dollarët, falë kontratave në tregun e sigurisë.
Flock pajis 40% të agjencive amerikane të zbatimit të ligjit. Të gjithë duan kamerat Flock. Si komisariatet bashkiake, ashtu edhe sherifët e qarqeve apo policia shtetërore, si ajo e Teksasit, për shembull. Por ka edhe dhjetëra agjenci të tjera. Pa harruar aktorët privatë, dyqanet, pallatet e banimit, dhe shumë ndërmarrje. Rrjeti I kamerave Flock është bërë kaq gjigant, saqë, sipas shifrave që kompania jep, ajo skanon më shumë se 20 miliardë targa automjetesh në muaj!
Gjurmime për qëllime private dhe politike
Këta lexues automatikë targash kanë filluar të jenë pjesë e peizazhit urban amerikan që nga viti 2020. Por polemika po ndizet vetëm tani për shkak të abuzimeve të raportuara nga The Washington Post dhe disa OJQ gjatë muajve të fundit. Fillimisht, qëllimi I këtyre raportimeve të rasteve të abuzimeve ishte të ndihmoheshin hetimet. Por, në më shumë se 50 raste, ka rezultuar se janë policët vetë që i kanë përdorur të dhënat e mbledhura nga kamerat Flock për të gjurmuar partneret ose ish-partneret e tyre.
Ka gjithashtu raste të profilizimit politik. Agjentë kanë hyrë në platformën Flock për të zbuluar, përmes targave, identitetin e militantëve që kishin shkuar për të marrë pjesë në një protestë. Dhe kemi madje një rast në Teksas të një oficeri policie që kontrolloi sistemin për të parë nëse një grua kishte shkuar në një klinikë për të kryer një abort. Një vijë e kuqe është tejkaluar, aq sa kanë lindur organizata qytetarësh për të pikasur, numëruar dhe hartografuar kamerat Flock dhe për t’iu bërë presion zyrtarëve të zgjedhur me qëllim që t’u japin fund këtyre kontratave.
Autoritetet që po prishin kontratat me Flock
Me dhjetëra komuna i kanë shkëputur lidhjet e tyre me Flock që nga fillimi i muajit gusht. Guvernatori i Teksasit ka ngrirë financimet, Florida i ndalon këta lexues në autostrada dhe, mbi të gjitha, Kongresi ka nisur disa hetime pasi e gjithë kjo po bëhet pa kontroll dhe pa asnjë mandat gjyqësor.
E gjendur me shpatulla pas muri, Flock ka reduktuar kohën e ruajtjes së të dhënave të saj nga 30 në 7 ditë. Por kjo është kthyer në një pikë negative për zgjedhjet afatmesme (midterms). Kandidatët që kanë nënshkruar kontrata me Flock janë thirrur të japin shpjegime dhe mund të pësojnë humbje gjatë votimit të 3 nëntorit.
