Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nisën të dielën një valë sulmesh ajrore në jug të Libanit, pasi dy dronë të lëshuar nga Hezbollahu u drejtuan ndaj trupave izraelite, që operonin brenda zonës së sigurisë.
Para sulmeve, zëdhënësja arabe e IDF-së, nënkolonelja Ella Uaueya, u bëri thirrje banorëve të qytetit Arab Salim të evakuonin menjëherë zonën përreth një ndërtese të identifikuar si objektiv.
Ajo paralajmëroi banorët që të qëndronin të paktën 300 metra larg ndërtesës, duke thënë se ajo ndodhej pranë një objekti që i përkiste Hezbollahut dhe se ushtria izraelite do të vepronte kundër tij.
Sipas mediave libaneze, ndërtesa e goditur kishte shërbyer si spital dhe nga sulmet raportohet se të paktën dy persona kanë humbur jetën. Ndërkohë, IDF deklaroi se objekti kishte qenë më parë spital, por në kohën e sulmit përdorej si seli e Hezbollahut në qytet.
Gjatë sulmit me dronë, ushtarët izraelitë hapën zjarr dhe rrëzuan një prej tyre.
