Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë maratonë për gazetaren Rudina Xhunga, në një format të veçantë që i paraprin rikthimit të podcastit të tij “Flasim”. Këtë herë, ndryshe nga episodet e zakonshme ku Rama është ai që drejton pyetjet, rolet janë përmbysur dhe është Xhunga ajo që e ka vendosur kryeministrin përballë një serie të gjatë pyetjesh.

Rama ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se intervista ka zgjatur më shumë se katër orë, ndërsa pjesë të saj pritet të publikohen së shpejti.

Në videon prezantuese, intervista nis me një shkëmbim batutash mes kryeministrit dhe gazetares.

Edi Rama: Ti do i bësh vërtet 300 pyetje sot?

Rudina Xhunga: Po, vërtet.

Edi Rama: Maratonë?

Rudina Xhunga: Pse, nuk do ti?

Edi Rama: Jo, jo dakord.

Rudina Xhunga: Jo, unë kam vetëm hallin që ata më shohin kështu si…

Më pas, janë shkëputur fraza të ndryshme gjatë bisedës, të cilat duket t’i referohen temës së nxehtë të investimit në Sazan-Zvërnec, SPAK-ut, mungesës së kryetarit Erion Veliaj në Bashkinë Tiranë, ndërhyrjen e pushtetit legjislativ te ai ekzekutiv si dhe një bisedë mbi vetë pushtetin.

“Ka qenë një krim i mandatuar dhe një nga dy ekzekutorët është një njeri plotësisht i njohur për mua, të dy e dinim”.

“Ata nuk po blejnë ishullin. Ata as nuk po marrin pronësinë mbi ishullin. Ai ishull do të jetë pronë e Republikës së Shqipërisë. Nuk jam shitësi i Shqipërisë”.

“Kjo është një nga gjërat më të këqija që ka bërë SPAK-u, që ka përdorur mediat për të baltosur ata të cilët do të merrte nën akuzë. Kjo nuk bëhet”.

“Koha tregoi që unë kisha investuar në një maskë karnavalesh. Prokurori bashkë me një gjykatës u bashkuan bashkë në një dhomë dhe vendosën që të bëjnë kryeministrin, parlamentin dhe presidentin. Unë këtë s’mund ta pranoj”.

“Bashkia nuk ka kokë. Është një eksperiment social, politik dhe ekonomik ky që një kryeqytet të drejtohet pa kokë”.

“Ishte një talent, talent i madh politik që nuk e mbajti dot peshën. Pushteti është një kafshë e përbindshme, ka ngrënë e ka futur nën vete shumë burra”.

“Ai që të sfidon dhe bëhet pasardhës, ai do të të vrasë. Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës”, thotë kryeministri.

Videoja mbyllet sërish me batuta.

Edi Rama: Në momentin që unë e kapërcej pragun e asaj dere, ju do të shpëtoni nga unë.

Rudina Xhunga: Mos më shko në fund se do të të pyes, kemi akoma pyetje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb