Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, dhe deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, kanë përcjellë mesazhe nga New Jersey, pak para nisjes së takimit të Sali Berishës me shqiptarët e Amerikës.

Qosja, përmes një videomesazhi, tha se në aktivitet janë mbledhur shqiptarë nga zona të ndryshme të Shteteve të Bashkuara për të pritur kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilin e cilësoi si “triumfator” dhe “hero”.

Sipas Qoses, takimi synon të përcjellë një mesazh bashkimi të diasporës shqiptare dhe të shërbejë si një moment mobilizimi politik për, siç u shpreh ai, “rrëzimin e regjimit të Edi Ramës”.

“Shqiptarët janë mbledhur për të pritur Berishën si triumfator dhe hero”, është shprehur Qosja në videomesazhin e tij.

Ndërkohë, deputeti i PD-së, Klevis Balliu, e ka cilësuar pritjen e Berishës nga diaspora shqiptare si të jashtëzakonshme dhe emocionuese.

Balliu u shpreh se ky takim sjell, sipas tij, “rikthimin e shpresës për një Shqipëri ndryshe”, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.

Në fund të mesazhit të tij, Balliu bëri thirrje për bashkim, duke u shprehur: “Shkojmë të gjithë bashkë drejt fitores së sigurt!”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: