Një i ri pjesëmarrës në protestën e 100-të kombëtare në Tiranë u shpreh optimist për vijimin e lëvizjes qytetare, duke deklaruar se tubimi i sotëm mund të shënojë një pikë kthese.

Ai tha se pret që protesta të mbledhë një numër edhe më të madh qytetarësh, ndërsa e cilësoi atmosferën e krijuar sot si të veçantë. “Unë sot jam i lumtur, sepse ndjej që kjo protestë do të shkojë në një nivel tjetër. Do të mbledhë më shumë shqiptarë se sa kishte ditën kur pati maksimumin e protestuesve”, u shpreh i riu. Sipas tij, pas 100 ditësh rezistencë, lëvizja qytetare ka arritur në një moment të ri dhe mund të përhapet në të gjithë vendin.

“Vera i përgjum, qëndresa na ka lodhur, por nuk e di pse sot ka një ajër të jashtëzakonshëm, një magji të jashtëzakonshme. Pas ditës së sotme, kjo vatër protestuesish do të qarkullojë në çdo vend të Shqipërisë, për të rindezur protestën kombëtare”, tha ai. I riu theksoi se është e vështirë të parashikohet se ku do të çojë protesta, por sipas tij, 100 ditët e aksionit kanë shërbyer si një proces ndërgjegjësimi për qytetarët.

“Vetëm shqiptarët ta dinë se çfarë do të ndodhë me këtë protestë. Kjo protestë na ka dhënë mësime. Jemi më të rritur, më të përgjegjshëm, më të qartë për atë që vjen në Shqipërinë tonë të dashur”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: