Në shtëpinë e Bayern Munich nuk ishte një “verë e nxehtë”, me klubin gjerman që u limitua vetëm në dy blerje, Saibari dhe Brown, por tani vjen edhe pjesa më e vështirë pasi drejtuesit e klubit janë në garë me kohën për të blinduar dy yjet e ekipit, Harry Kane dhe Michael Olise. Nuk është një sekret që mes Harry Kane dhe Bayern Munich në tavolinë është kontrata e rinovimit, palët janë shumë pranë gjetjes së një akordi, fakt që e ka konfirmuar edhe vetë lojtari, por në Mynih nuk ka ende “tym të bardhë”, mungon njoftimi zyrtar.

Një tjetër çështje jo pak delikate është edhe e ardhmja e Michael Olise, me fantazistin francez që ishte një nga emrat më të përfolur, në një kur mediat shkruanin për një interesim të fortë nga ana e Real Madrid. Në fund, Olise qëndroi në Mynih, por tani palët do të ulen në një tavolinë për të diskutuar opsionin e rinovimit. Jan-Christian Dreesen, drejtori i deleguar i Bayern Munich u shfaq i qetë kur u pyet për të ardhmen e Olise:

“Për Olisen do të flasim verën e ardhshme. Në mediat thuhen shumë gjëra, flitet për dhjetëra oferta në drejtim të tij, por e vërteta është se ne nuk kemi marrë asnjë ofertë për Olise. Ai është një lojtar thelbësor për skuadrën tonë, është një magjistar në fushë”, u shpreh ndër të tjera drejtori i deleguar i Bayern Munich.

Bayern është në pozita komode për të negociuar me lojtarin apo klubet e interesuara për të pasi Olise është nën kontratë deri në vitin 2029. Sipas Transfermarkt, kartoni i tij vlerësohet me 170 milionë euro.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb