Alexander Zverev, numri 1 i turneut në mungesë të Jannik Sinner, vazhdon serinë e fitoreve, duke mposhtur në tre sete italianin Luciano Darderi (nr. 22) me rezultatin 6-2, 6-2, 7-6 (7-3) në raundin e 1/8-ve të US Open.
Pas dy ndeshjeve të para disi të vështira, të cilat i fitoi të dyja në pesë sete, gjermani 29-vjeçar mori fitoren e dytë radhazi në tre sete. Ai nuk u vu realisht në vështirësi nga Darderi dhe i anuloi të vetmen mundësi për t’i thyer shërbimin.
Darderi u përmirësua pak në setin e tretë, por Zverev ishte shumë i fortë dhe realizoi 42 goditje fituese. Në fund, gjermani e mbylli ndeshjen në tie-break, 7-3.
Tani Zverev do të përballet në çerekfinale me holandezin Botic van de Zandschulp, numri 70 në botë. Me këtë fitore, Zverev është bërë gjithashtu lojtari i vetëm që ka arritur çerekfinalet në të katër Grand Slam-et gjatë vitit 2026
Një biletë për në çerekfinale siguron edhe holandezi Botic van de Zandschlup, që mundi 3-1 francezin Arthur Gea. Kualifikohet edhe rusi Karen Khachanov, që mundi 3-2 Learner Thien si dhe belgu Alexander Blockx (mundi 3-1 Francisco Cerundolo).
Te femrat, tenistja amerikane Coco Gauff, numri 4 në botë, fitoi 2-0 (6-1, 6-4) ndaj patriotes së saj Iva Jovic. Në çerekfinale shkon edhe tenistja ruse Mirra Andreeva, që triumfoi 2-1 me përmbysje ndaj Anastasia Potapova. Vazhdon të surprizojë tenistja kineze Qinwen Zheng, që mundi 2-0 polaken Iga Swiatek (7-5, 6- 3) , duke avancuar më tej dhe shkaktuar surprizën e ditës në US Open. Tenistja e fundit që shkon mes tetë më të mirave është kazakja Elena Rybakina, që mundi 2-0 japonezen Naomi Osaka.
