Nga protesta para Kryeministrisë, një qytetar ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë Rama dhe mënyrës së menaxhimit të protestës së një dite më parë. Ai kritikoi numrin e madh të forcave të policisë të angazhuara përreth Kuvendit dhe arrestimet e protestuesve.
“Pamë policë civilë dje që grabisin qytetarë vetëm se kishin vezë në duar. 1600 forca policore mbronin një parlament të skaduar, që armët më të rrezikshme kishin vezët dhe zërat. Ata mbronin problemet tona që kemi të gjithë, dhe të policëve bashkë. Protestuesit u dhunuan, por kjo nuk duhet të na demoralizojë. Fitorja është thyerja e mitit në të cilin ata jetojnë.”, tha ai.
Qytetari ngriti pikëpyetje mbi legjitimitetin e Kuvendit dhe tha se vetë prania e një numri kaq të madh policësh përbën, sipas tij, një tregues të rëndësishëm të forcës së protestës.
“S’mendoni, a është legjitim ky Kuvend që mbrohet nga 1600 forca policore? Kjo është arritja e protestës sonë. Këto ditë na kanë treguar se çfarë jemi të aftë të bëjmë. Ndërrojnë parti dhe silga, po një gjë se ndërrojnë, oreksin për para. Në Kuvend bënin çdo gjë tjetër që nuk na përfaqësonte dhe ne ankoheshim nga kafeja. Ka ku jemi sot.”, shtoi ai.
Në vijim, ai u ndal te pasojat që, sipas tij, kanë sjellë vitet e qeverisjes dhe korrupsioni në vend, duke e lidhur situatën me emigrimin e shqiptarëve.
“Pas 13 vitesh kemi parë një vend që boshatiset. A ka gjë më të dhimbshme kur pas çdo korrupsioni ka një fëmijë që rritet pa prindin pranë?”, tha ai.
