Pak orë para shpalljes së aktgjykimit në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë është ndezur për herë të fundit “Flaka e Lirisë”.
Aktiviteti është zhvilluar në sheshin e kryeqytetit, përpara ekranit të madh ku janë shfaqur portretet e katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në këtë shesh, qytetarët pritet të mblidhen edhe nesër për të ndjekur shpalljen e verdiktit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Disa prej të pranishmëve kanë shprehur gatishmërinë për të qëndruar gjatë gjithë natës në sheshin e Prishtinës, deri në momentin kur nesër do të shpallet aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Atmosfera në kryeqytetin e Kosovës mbetet e ngarkuar me emocione, ndërsa vendimi i Hagës pritet me vëmendje të madhe nga qytetarët, familjarët dhe mbështetësit e të akuzuarve.
Gjithashtu drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka njoftuar për vendosjen e simbolit të UÇK-së “te rrethin” e Prishtinës.
Retkoceri ka publikuar edhe video nga vendosja e simbolit, duke e shoqëruar me një mesazh në pritje të vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
“Sot, mbi Prishtinë valon simboli i lirisë sonë. Në pritje të drejtësisë. Në nderim të UÇK-së. Në emër të lirisë”, ka shkruar Retkoceri.
