Tragjedia e rëndë në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të pajetë një 27-vjeçar dhe vajza e tij vetëm 3 muajshe, po hetohet nga Prokuroria Themelore e këtij rajoni.

Për ngjarjen është arrestuar babai i 27-vjeçarit, 65-vjeçari B. Demiri, i cili dyshohet për vrasje të rëndë.

Ndërkohë, sot po mbahet seanca e parë dëgjimore ndaj të dyshuarit, ndërsa Prokuroria ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së sigurisë. Gjykata pritet të marrë vendimin lidhur me këtë kërkesë.

Sipas mediave në Kosovë, në vendin e ngjarjes është gjetur një litar, për të cilin dyshohet se mund të jetë përdorur në një përpjekje për të inskenuar rrethanat e vdekjes së dy viktimave.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se dy viktimat dyshohet se janë mbytur me litar, ndërsa në trupat e 65-vjeçarit të arrestuar dhe të djalit të tij 27-vjeçar janë konstatuar shenja dhune.

Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e tragjedisë dhe përgjegjësitë përkatëse.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: