Japonia ka kaluar për herë të parë shifrën e 100 mijë personave të moshës 100 vjeç e lart. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në vend jetojnë aktualisht 107,677 persona mbi 100 vjeç, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, ndërsa 88% e tyre janë gra.
Personi më i moshuar në Japoni është Kishimoto Fuyo, 114 vjeçe nga Kioto, ndërsa burri më i moshuar është Kato Hikaru, 112 vjeç, nga Kumamoto. Ministri i Shëndetësisë, Kenichiro Ueno, tha se është i kënaqur që kaq shumë njerëz po jetojnë gjatë, shëndetshëm dhe aktivë, duke ia ka atribuar këtë edhe përparimit të mjekësisë dhe teknologjisë.
Jetëgjatësia e lartë e japonezëve lidhet nga ekspertët me disa faktorë, përfshirë ushqyerjen dhe mënyrën aktive të jetesës. Dieta tradicionale japoneze përmban kryesisht peshk, perime dhe oriz, ndërsa të moshuarit ecin rregullisht, përdorin transportin publik, lëvizin me biçikletë dhe bëjnë ushtrime fizike.
Megjithatë, plakja e shpejtë e popullsisë po shndërrohet në një sfidë të madhe për Japoninë. Personat mbi 65 vjeç përbëjnë aktualisht rreth 30% të popullsisë dhe kjo shifër pritet të afrohet në 40% deri në vitin 2070. Në të njëjtën kohë, lindshmëria ka rënë në nivele rekord, me vetëm 1.14 fëmijë për grua vitin e kaluar, shumë më poshtë se niveli 2.1 që nevojitet për zëvendësimin e popullsisë.
Sipas parashikimeve, popullsia e Japonisë mund të bjerë në 87 milionë banorë deri në vitin 2070, rreth 30% më pak se kulmi prej 128 milionësh në vitin 2008. Qeveria e ka cilësuar këtë prirje si një “krizë ekzistenciale”, ndërsa programet dhe subvencionet për nxitjen e lindjeve deri tani nuk kanë sjellë rritje të dukshme të numrit të lindjeve.
Numri i personave mbi 100 vjeç është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë dekadave. Në vitin 1963, kur nisi regjistrimi i tyre, në Japoni kishte vetëm 153 persona mbi 100 vjeç, ndërsa shifra arriti në 1 mijë në vitin 1981 dhe 10 mijë në vitin 1998.
