Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, kirurgë francezë kanë bërë ndërhyrje kirurgjikale për të rindërtuar fytyrat e ushtarëve ukrainas, të plagosur në beteja ose sulme ruse. Nën titullin “Fytyrat e luftës”, regjisori Didier Cros, sjell një film që ndjek fate njerëzore që shkatërrohen nga armët.
”Problemi i Evropës sot, është imazhi i atyre që janë në frontin e luftës. Ne harrojmë çfarë është një luftë dhe përmes këtij filmi, dua t’ju tregoj ç’është lufta dhe cilat janë pasojat e saj. Evropa duhet të jetë më e fortë për të mbrojtur Ukrainën sot, e vende të tjera nesër”, tha regjisori, Didier Cros.
Filmi u shfaq në Kuvendin e Shqipërisë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Nënkryetarja, foli për raportet mes dy vendeve.
“Shqipëria ka treguar solidaritet e vet me popullin ukrainas, qartësisht dhe në vazhdimësi kundër agresionit rus, duke qëndruar përkrah Ukrainës në përpjekjet ndërkombëtare dhe ka mbështetur sanksionit ndaj Rusisë”, tha Evis Kushi, nënkryetare e Parlamentit.
Kujtim Çashku, drejtor ekzekutiv i festivalit, u ndal te rëndësia e filmave që merren me të drejtat e njeriut.
“Përmes këtij festivali ne sjellim filma që nxisin reflektime dhe ngrenë pyetje. Prekim tema të ndryshme, nga policia te protestat, demokracia, liria e shprehjes e dinamika e krimeve në botë. Si filmbërës, kemi tjetër kënd se si i shohim ngjarjet dhe përdorim tjetër gjuhë për ta treguar atë që shohim. Jemi sulmuar shpesh për atë që bëjmë, por ne duam të ngremë pyetje, dhe shfaqim filma për Izraelin e Palestinën për të sjellë këndvështrime ku mbi të drejtat e njeriut”, u shpreh Çashku.
Në Qendrën Mjekësore Vynnyky, në periferi të Lvivit në Ukrainë, trajtohen ekskluzivisht të plagosurit e luftës: ata që kanë pësuar amputime apo gjymtime të rënda. Është një vend ku rindërtimi fizik dhe psikologjik gërshetohet me qëndresën kolektive. Një marrëveshjeje ukrainas-franceze angazhon mjekë për të trajtuar personat që kanë humbur tiparet e fytyrës gjatë luftimeve. Filmi dëshmon për ekspertizën mjekësore dhe përkushtimin personal, si dhe për lidhjet që ata krijojnë me stafin vendas dhe pacientët.
