Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm që në nisje të seancës së sotme plenare në Kuvend, por sapo ka marrë fjalën, deputetët e opozitës kanë braktisur sallën.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te raporti i progresit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar si një vlerësim të rëndësishëm për punën e qeverisë. Ai theksoi se Komisioni Evropian ka rekomanduar që në vitin 2027 të nisë përgatitja e traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Kreu i qeverisë e përdori këtë rekomandim për të kritikuar opozitën, duke u ndalur edhe te protestat kundër tij. Sipas Ramës, ndërsa është normale që qytetarët të protestojnë kundër një qeverie, por është e pazakontë që opozita të mos jetë e pranishme në këto protesta.

“Duhet të jetë e dhimbshme që shqiptarët nuk ju pranojnë në protestë. Në raportin e progresit të BE-së ka një togfjalësh që i thotë të gjitha arsyet pse jemi krenarë për punën tonë dhe arsyet pse askush tjetër nuk e bën dot atë që bëjmë ne. KE rekomandon që në vitin 2027 të nisin përgatitjet për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk ka asnjë mundësi dhe asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik të bëhet nëse vendi do të ishte ai që përpiqen me këmbë e duar, me britma, ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestën.

Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër teje është e natyrshme, por të jesh në opozitë dhe të mos të pranojnë të t’i afrohesh protestës, është e dhimbshme. Fakt që duhet t’ju kuptoni se çfarë janë këta, që nuk janë as fizikisht dhe as politikisht relevantë”, deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri theksoi se nuk kishte ardhur në Kuvend për kartonët, duke iu përgjigjur deputetes Tabaku, , por për të mbajtur fjalën hyrëse për projektbuxhetin, të cilin e cilësoi historik, pasi për herë të parë, sipas tij, Shqipëria arrin një buxhet prej 10 miliardë eurosh.

Në përfundim, Rama iu drejtua sërish opozitës, duke paralajmëruar se qytetarët do ta ndëshkojnë në zgjedhjet e 9 majit.

“Jua kam thënë, mos i merrni shqiptarët për budallenj, sepse ju japin ujë në bisht të lugës, siç jua kanë dhënë gjithë këtë kohë. Do ta merrni edhe më 9 maj”, u shpreh kryeministri.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb