Pas aktgjykimit ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, djali i tij, Altin Krasniqi, ka reaguar përmes një mesazhi prekës, duke shprehur dhimbjen e tij dhe të familjes pas gjashtë vitesh pritjeje.
“Njeriu është më i fortë se guri. Çka s’mund ta mbajë guri, e mban njeriu”, ka shkruar Krasniqi, duke cituar fjalët e të atit.
Ai ka thënë se, pavarësisht padrejtësive që, sipas tij, i janë bërë babait të tij, Jakup Krasniqi ka qëndruar gjithmonë me kokën lart.
“Jeta ka qenë e padrejtë me ty, por ti prapë qëndrove me kokën lart. Gjashtë vjet pritje, gjashtë vjet dhimbje, e asnjëherë nuk ta pamë kokën të ulur”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se aktgjykimi prej 25 vjetësh dënim me burg nuk e ka thyer të atin, por ka ndikuar rëndë te familja e tij dhe te besimi i tyre në drejtësi
“Pas këtij aktgjykimi, nuk u theve ti. U thye diçka brenda nesh. U thye besimi ynë në drejtësi”, ka deklaruar ai.
Deputeti i PDK-së shtoi se familja do të vazhdojë të qëndrojë e fortë, ashtu siç, sipas tij, i ka mësuar i ati.
“Por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë. Ashtu siç na ke mësuar ti. Me dhimbje në zemër, por me kokën lart. Me kokën lart, babë. Gjithmonë”.
