Deputeti belg Michel De Maegd ka pritur në Parlamentin Federal deputeten e pavarur shqiptare, Marjana Koçeku, për të diskutuar mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rrugën evropiane të Shqipërisë.

Gjatë takimit, deputeti belg theksoi se Koçeku u largua nga partia e kryeministrit shqiptar për shkak të pakënaqësive të thella me qeverisjen, mungesës së transparencës dhe represionit ndaj protestës qytetare.

“Tashmë si deputete e pavarur, ajo synon të jetë zëri i shoqërisë civile për të ndërtuar një Shqipëri moderne që i kthen shpinën korrupsionit”, shprehet ai.

Më tej,  De Maegd vlerësoi vendimin e Belgjikës për të hapur një ambasadë në Tiranë si një sinjal të rëndësishëm për rritjen e bashkëpunimit.

De Maegd nënvizoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet çelësi i sigurisë dhe se Belgjika do të vazhdojë të mbështesë reformat thelbësore të Shqipërisë.

Edhe deputetja Koçeku përmes një postimi në rrjetin social Facebook publikoi fotografi me homologun e saj nga Belgjika. Koçeku thotë se ka respekt për De Maegd, ndër të tjera dhe se ai ka qenë edhe në Kosovë gjatë luftës dhe se ka qenë e mbetet një mbështetës i fortë i çështjes shqiptare.

“Këto dy ditë ndodhem në Bruksel përmes nji ftese zyrtare nga parlamenti belg, ku jam e nderueme që takimin e parë ta zhvilloj me deputetin Michel De Maegd.

Gëzoj respekt të veçantë për z. De Maegd sepse ai ka mbetë nji mbështetës i fortë i çështjes shqiptare që në rininë e tij të hershme, sidomos në periudhën 1998-1999, ku ka raportu si gazetar në luftën e Kosovës.

Ndamë disa pikëpamje të përbashkëta për rrugën e Shqipnisë drejt BE-së dhe folëm gjatë për nevojën e pashmangshme për zgjidhjen e plotë të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku ai luan rol të veçantë sidomos në skenën e politikës belge.

Në fund më tregoi edhe disa fotografi gjatë luftës, të cilat kam kënaqësinë t’i ndaj edhe me ju”, shkruan Koçeku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb