Niko Hylkenberg po përjeton një moment të veçantë në karrierën e tij, si pjesë e projektit të ri të Audit në Formula 1. Në sezonin e parë pas marrjes së Sauberit, skuadra gjermane ka treguar një nivel konkurrues që ka tejkaluar pritshmëritë.
Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, Hylkenberg foli për progresin e Audit dhe objektivat ambicioze të markës. “Kemi njerëz shumë të mirë dhe shumë të aftë në fabrikë, si në Hinëil, ashtu edhe në Neuburg. Kemi një ekip drejtues të fortë, liderë të fuqishëm dhe njerëz me shumë njohuri e përvojë”, tha ai.
Piloti gjerman theksoi se Audi është ende në fillimet e projektit, por rezultatet e deritanishme janë pozitive. “Jemi ende në një fazë fillestare. Kemi hapësirë për përmirësim si te njësia e fuqisë, ashtu edhe te makina, por jemi të kënaqur me mënyrën se si kanë shkuar gjërat deri tani”, u shpreh Hylkenberg. Objektivi i Audit është të luftojë për fitore në vitin 2030. Për Hylkenberg, rruga drejt këtij qëllimi duhet të ndërtohet gradualisht. “Sezonin e ardhshëm duam të bëjmë edhe një hap drejt pjesës së përparme. Nuk do të jetë e lehtë, por jemi këtu për të vënë veten në provë dhe për të sfiduar edhe të tjerët”, deklaroi ai.
Kur u pyet se si e përkufizon Formulën 1 aktuale, përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë: “Mizore, sigurisht. E pamëshirshme, mizore”. Arsyeja, sipas tij, është mungesa e hapësirës për gabime dhe presioni i vazhdueshëm. “Por ky është gjithashtu një nga aspektet që më pëlqen më shumë. Mund të bësh diferencën në ato momente kur presioni është shumë i lartë dhe gjërat bëhen të vështira”, deklaroi gjermani. Hylkenberg foli edhe për krahasimet që mediat u bëjnë pilotëve të rinj me legjendat e F1. “Gjithmonë ka zhurmë nga mediat dhe disa gjëra ekzagjerohen. Ne pilotët nuk ndikohemi shumë nga kjo. Kemi punën tonë për të bërë, javë pas jave”, theksoi ai.
Sa i përket pilotit që e ka impresionuar më shumë gjatë karrierës së tij, Hylkenberg veçoi Maks Vershtapenin. “Ka bërë gjëra vërtet të veçanta. Jo vetëm kur Red Bulli kishte makinën më të mirë. Edhe kur nuk e kishte, ai arriti të bënte paraqitje të jashtëzakonshme”, u shpreh 39-vjeçari.
Gjermani foli me respekt edhe për Fernando Alonson dhe nuk përjashtoi mundësinë për të vazhduar gjatë në Formula 1. “Për sa kohë kronometri vazhdon të jetë i mirë dhe unë të jem i lumtur e i motivuar për ta bërë këtë punë, do të jem i kënaqur të vazhdoj. Koha do ta tregojë”. Për Hylkenbergun, aventura me Audin është një kapitull i rëndësishëm i karrierës: “Është diçka shumë speciale. Më bën të ndihem shumë i lumtur dhe krenar”, përfundoi Niko.
