Nisja e vitit të ri shkollor mund të shoqërohet me ankth dhe vështirësi përshtatjeje për shumë fëmijë, veçanërisht për ata që kalojnë nga kopshti në shkollë.
Ekspertja e zhvillimit të fëmijëve, Silvi Mihali, në një intervistë për News24, theksoi se prindërit duhet të tregohen të qetë dhe të mos alarmohen përballë ndryshimeve në sjelljen e fëmijëve. Sipas saj, ankthi mund të shfaqet përmes ndryshimeve në gjumë, ushqyerje, urinimit gjatë natës apo ankesave fizike, si dhimbjet e barkut.
Mihali nënvizoi se këto shenja nuk duhen trajtuar me fajësim, por si sinjale që fëmija mund të jetë duke përjetuar një shqetësim. Ajo tha se kur ankthi bëhet i vazhdueshëm dhe ndikon në jetën e përditshme të fëmijës, duhet kërkuar shkaku dhe bashkëpunuar edhe me psikologun e shkollës.
Ekspertja theksoi gjithashtu nevojën për të parë përtej sjelljes së fëmijës, pasi pas saj mund të fshihen raste bullizmi, abuzimi apo vështirësi të tjera. Për Mihalin, prindi duhet të jetë figura kryesore mbështetëse, duke mbajtur të hapur komunikimin me fëmijën dhe duke e ndihmuar atë, pa e gjykuar.
Silvi Mihali, eksperte e zhvillimit të fëmijëve: Fëmijët që shkojnë nga kopshti në shkollë e kanë të vështirë ambientimin. Prindërit duhet të jenë më të qetë, t’ju japin qetësi fëmijëve e mos alarmohen, derisa të vegjlit të përshtaten.
Fëmijë që janë më të ndjeshëm emocionalisht, mund të urinojnë dhe natën. Kjo tregon se trupi po kalon një lloj ankthi. Por nuk kemi pse të alarmohemi. Nuk duhet që t’ja lëmë fajin fëmijës. Ka fëmijë që ju ndryshon pjesa e të ngrënit, kur kanë diçka që i shqetëson. Mund të ankohen kur shkojnë në shkollë, si prsh më dhemb barku etj. Këto janë shenjat e ankthit tek fëmijët. Koha është tregues i rëndësishëm. Ka ankthe kalimtare, që mund ta kenë dhe të rriturit dhe është kalimtar. Nëse ankthi është i vazhdueshëm, duhet ta shikojmë se çfarë e shkakton, çfarë ndodh me fëmijën.
Mund të ndodhë që mësuesen janë më pedante dhe këta fëmijë mund ta kenë shqetësim, nis e manifeston atë ankthin e përditshëm. Kur kjo penalizon gjumin, ushqimin, kjo duhet parë më thellë. Nëse shohim se fëmija ka ankthe të vazhdueshme, prindi mund të bashkëpunojë me psikologët e shkollës. Duhet të shohim nëse fëmija ka bullizim në shkollë. Këto janë situata, që duhet ta ndihmojmë fëmijën. Duhet të mendojmë si t’ja bëjmë shkollën më argëtuese.
Kur fëmija ka vonesë në shkrim e lexim, duhet që të këmbëngulim që të vijojë që të mësojë proceset ngadalë-ngadalë. Duhet të shikojmë përtej sjelljes së fëmijës, sepse ka raste që ka abuzim, ka bullizim. Sjelljet zakonisht e kanë një burim. Mund të hyjmë që t’i ridrejtojmë në jetën e tyre. Prindërit janë personazhet kryesorë në jetën e fëmijëve. Fëmija ka nevojë për një prind që është i hapur, nuk duhet të mbyllë derën e komunikimit, duhet të mbështesë fëmijën e jo të gjykojë, sepse i rrituri i përgjegjshëm në jetën e fëmijës është prindi.
