Barcelona vazhdon marshimin në La Liga dhe konfirmon formën e jashtëzakonshme në këtë fillim sezoni. Katalanasit fituan 3-1 në transfertën ndaj Sevillas, duke regjistruar fitoren e shtatë radhazi dhe duke mbetur skuadra e vetme me pikë të plota në kampionat.
Në stadiumin Sanchez Pizjuan, Barcelona e nisi menjëherë në sulm. Në minutën e shtatë, Yamal goditi shtyllën me një të majtë të fuqishme, por portieri Vlachodimos reagoi në kohë dhe devijoi topin.
Sevilla, megjithatë, shfrytëzoi një nga rastet e para dhe në minutën e 19-të kaloi në avantazh. Fofana u shkëput bukur në zonë dhe, pas krosimit të Correias, goditi saktë me kokë për 1-0. Avantazhi i vendasve zgjati vetëm tre minuta. Raphinha mori topin, zhvilloi një aksion individual dhe, pasi shmangu mbrojtësin Sangante, mposhti Vlachodimos duke vendosur baraspeshën në 1-1.
Në pjesën e dytë, Barcelona shtoi presionin dhe në minutën e 52-të përmbysi rezultatin. Yamal shërbeu në zonë dhe Raphinha, këtë herë me kokë, realizoi golin e dytë personal për 2-1.
Sevilla tentoi të reagonte, por Barcelona kontrolloi ritmin e lojës. Raphinha ishte sërish shumë pranë golit në minutën e 62-të, kur goditi shtyllën direkt nga një goditje këndi.
Braziliani nuk u ndal dhe shtatë minuta më vonë vulosi mbrëmjen e tij perfekte. Në minutën e 69-të, Raphinha realizoi edhe golin e tretë të Barcelonës, duke kompletuar hat-trickun dhe duke vulosur fitoren 3-1. Një tjetër paraqitje mbresëlënëse e brazilianit, i cili tashmë ka shënuar plot 12 gola në vetëm shtatë javë kampionat.
Me këtë sukses, Barcelona ngjitet në kuotën e 21 pikëve dhe vazhdon të kryesojë e vetme La Ligën, me një nisje perfekte të sezonit.
