Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, ka kritikuar ashpër aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke deklaruar se vendimi nuk prek vetëm ish-krerët e UÇK-së, por edhe mënyrën se si interpretohet lufta çlirimtare e Kosovës.
Në një intervistë për mediat në Kosovë, Prosper tha se cilësimi i UÇK-së si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” paraqet, sipas tij, një problem të madh për interpretimin e historisë së luftës.
Sipas avokatit amerikan, aktgjykimi ka krijuar përshtypjen se drejtuesit e UÇK-së ishin përgjegjës për të gjitha abuzimet e kryera nga individë apo grupe gjatë luftës, dhe jo vetëm për veprime konkrete të personave të caktuar.
Prosper argumentoi se një interpretim i tillë prek edhe trashëgiminë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, duke e lidhur këtë edhe me rolin e NATO-s gjatë luftës.
“Tre burra kanë rishkruar dhe kanë shlyer historinë!”, deklaroi Prosper, duke iu referuar trupit gjykues që ka shqyrtuar rastin.
Avokati kritikoi gjithashtu përmendjen në aktgjykim të emrave të disa ish-komandantëve të UÇK-së që nuk kanë qenë pjesë e procesit gjyqësor, si dhe shprehu shqetësim për transparencën lidhur me aktgjykimin, i cili përmban më shumë se 2 mijë faqe.
Prosper tha se do të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit mbrojtës të Thaçit gjatë procesit të apelit, të cilin e pret si një procedurë që mund të zgjasë rreth një vit.
Ai e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe deklaroi se objektivi i mbrojtjes mbetet rrëzimi i konstatimeve të gjykimit dhe pastrimi i emrit të Thaçit përmes procesit të apelit.
