Tashmë “mallkimi kuqezi” është i plotë edhe për Brajan Grudën! Sulmuesi shqiptar duket se po vuan në kurriz atë që kanë përjetuar shumë të tjerë para tij pasi kanë refuzuar Shqipërinë për të zgjedhur përfaqësuese të tjera.
Gruda zgjodhi përfundimisht Gjermaninë pasi u përfshi në listën e trajnerit Jurgen Klop për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Por këtë fundjavë, sulmuesi me origjinë nga Shkodra, ka pësuar një dëmtim që në pjesën e parë të ndeshjes së Lajpcigut përballë Bajer Leverkusenit.
Ai la fushën me probleme në ije, ndërsa sot klubi i tij konfirmoi se bëhej fjalë për një dëmtim që e linte jashtë grumbullimit me Gjermaninë dhe debutimit të tij potencial.
“Pas një ekzaminimi të hollësishëm, Brajani do të bëjë një pushim gjatë periudhës së ndeshjeve ndërkombëtare që po afron, për shkak të tërheqjes së muskujve anësorë të barkut.
Si pasojë, lojtari sulmues nuk do të udhëtojë drejt grumbullimit të ekipit kombëtar gjerman; ai ishte përzgjedhur për këtë grumbullim nga trajneri i kombëtares, Jurgen Klop, së bashku me David Raum dhe Ridle Baku, ndër të tjerë”, shkruhej në njoftimin e Lajpcigut që më pas u konfirmua nga Federata Gjermane.
Kësisoj, edhe Gruda është bërë viktimë e një dëmtimi pasi zgjodhi një përfaqësuese tjetër, fat që ka ndjekur në vazhdimësi lojtarë që i kanë thënë “jo” Shqipërisë për të vazhduar karrierën e tyre si pjesë e përfaqësueseve të tjera, arsye edhe pse quhet nga tifozët si “mallkimi kuqezi”.
