Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar me tone të ashpra lidhur me skandalin e zbuluar me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni. Përmes një deklarate publike, Këlliçi theksoi se vendi ndodhet përpara një paralize të plotë institucionale dhe një krize të thellë besimi brenda e jashtë vendit.

Në reagimin e tij, Këlliçi nënvizoi se me arrestimet dhe hetimet e fundit ndaj krerëve të shërbimit sekret, mbrojtjes dhe policisë, shteti shqiptar ka pësuar një goditje të pakuptimtë dhe pa mundësi rikuperimi të shpejtë.

“Kush i beson më Shqipërisë, me këtë Kryeministër, me këta drejtues?! Me kreun e SHISH në arrest për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje informacioni, me Ministrin e Mbrojtjes nën dyshime serioze dhe përgjime të bëra publike për trafik armësh dhe vegël e njeriut të punëve të pisëta, Ron Yeffet, me drejtues policie nën kontroll e hetim, me AKSH-in grup të strukturuar kriminal, siguria jonë kombëtare nuk ka qenë kurrë kaq e shpartalluar!” deklaroi Këlliçi.

Më tej, deputeti i PD ngriti shqetësimin për dëmin e madh që këto zhvillime i kanë shkaktuar imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në raportet me aleatët e NATO-s.

Sipas tij, dështimi në përmbushjen e funksioneve bazë dhe inkriminimi i sektorëve jetikë ka rrënuar besimin e qytetarëve dhe partnerëve të huaj te autoritetet shtetërore.

“Kolonat që mbajnë shtetin janë goditur rëndë dhe pa mundësi rikuperimi. Kemi të bëjmë me institucione të paralizuara. Jo vetëm nuk përmbushen funksionet kryesore, por skandalet e inkriminimit kaq të madh, kanë shkaktuar një krizë të fortë besimi në shoqëri e më tej. Cili qytetar mund t’i besojë më SHISH apo Policisë së Shtetit, apo autoriteteve, kur del se krerët e këtyre sektorëve i shërbejnë krimit?! Cili partner, vend anëtar i NATO apo dhe më gjerë mund t’i besojë qeverisë shqiptare dhe Tiranës në këto kushte?!” u shpreh ai.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Belind Këlliçi bëri përgjegjës direkt kryeministrin Edi Rama për përzgjedhjen e këtyre zyrtarëve në detyrat më sensitive të shtetit, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të kabinetit qeveritar.

Sipas Këlliçit, e vetmja rrugëdalje për rikthimin e vendit në shinat e normalitetit mbetet krijimi i një qeverie teknike dhe shpallja e zgjedhjeve të reja.

“Me kreun e Shërbimit Sekret të arrestuar, me Ministrin e Mbrojtjes të implikuar, me Edi Ramën që ka marrë, përzgjedhur e promovuar këta njerëz në këto detyra e që sot nuk mban asnjë përgjegjësi. Dëmi është shumë i madh, si në zhvillimet e brendshme ashtu dhe në raportet me partnerët. Kjo qeverisje, ky Kryeministër nuk mund të vijojnë më. Duhet zgjidhje urgjente politike që Shqipëria të kthehet në shinat e normalitetit. Qeveri teknike, zgjedhje të reja!” përfundoi Këlliçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb