Një operacion i gjerë rekrutimi, i lidhur me Rusinë, po shfrytëzon platformat dixhitale dhe infrastrukturën teknologjike perëndimore për të tërhequr punëtorë nga Afrika, Azia dhe Bjellorusia, duke u ofruar paga të larta dhe vende pune që në pamje të parë nuk kanë asnjë lidhje me luftën. Pas ofertave për punë në ndërtim, siguri apo edhe në industrinë e filmit, megjithatë, mund të fshihet një destinacion krejt tjetër: lufta në Ukrainë.

Skema është zbuluar nga një hulumtim i Code for Africa, një rrjet jofitimprurës afrikan që vepron në fushën e demokracisë dixhitale. Raporti, i ndarë me POLITICO, tregon se rekrutimi zhvillohet përmes një rrjeti faqesh interneti, llogarish në rrjetet sociale dhe kanalesh komunikimi, ndërsa për të arritur kandidatët përdoren edhe shërbime të kompanive të mëdha teknologjike perëndimore.

Reklamat e publikuara në Facebook dhe Google pothuajse nuk e përmendin luftën apo ushtrinë ruse. Ato paraqiten si oferta normale punësimi dhe premtojnë paga të konsiderueshme për punë në ndërtim, siguri dhe sektorë të tjerë. Në disa raste kandidatëve u ofrohet edhe ndihmë për sigurimin e vizës ruse.

Pas klikimit mbi reklamat, përdoruesit drejtohen drejt faqeve të ndërtuara profesionalisht, të cilat ngjajnë me portalet e zakonshme të punësimit. Sipas raportit, disa prej tyre kanë përdorur pa autorizim edhe logot e organizatave të njohura perëndimore të lajmeve, mes tyre BBC, duke krijuar përshtypjen se ofertat kanë një lloj mbështetjeje ose legjitimiteti nga këto organizata.

Përmasat e rrjetit janë të konsiderueshme. Code for Africa ka identifikuar 89 faqe interneti, shtatë llogari ose faqe në rrjetet sociale, përfshirë Facebook-un, si dhe 39 llogari apo kanale në aplikacionet e mesazheve të lidhura me operacionin. Studiuesit thonë se rrjeti vazhdon të zgjerohet dhe faqe apo llogari të reja shfaqen vazhdimisht.

Në shënjestër janë kryesisht të rinjtë që kërkojnë punë dhe personat që jetojnë në vende me papunësi të lartë ose të ardhura të ulëta. Ofertat financiare mund të jenë disa herë më të larta se pagat që kandidatët mund të sigurojnë në vendet e tyre.

Një prej rasteve të shqyrtuara nga POLITICO ishte paraqitur si një “audicion global” për realizimin e një projekti të ri filmik. Reklama kërkonte burra afrikanë si aktorë dhe përdorte një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqeshin burra me ngjyrë të veshur si ushtarë. Në reklamë shkruhej se xhirimet do të zhvilloheshin gjatë vitit 2025. Ajo ishte publikuar përmes një faqeje në Facebook me seli në Gjermani.

Një tjetër reklamë e sponsorizuar nga “IRC Russian Bear” ishte shumë më e drejtpërdrejtë. Në të shfaqej një ushtar me ngjyrë me simbole ruse në uniformë dhe kandidatëve u premtohej një pagesë prej 15 mijë dollarësh menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, si dhe rreth 3 mijë dollarë pagë mujore.

“Një mundësi për të ndryshuar jetën tënde”, ishte mesazhi me të cilin shoqërohej oferta.

Por hetimi ka nxjerrë në pah jo vetëm mënyrën e rekrutimit, por edhe infrastrukturën ndërkombëtare që e bën të mundur funksionimin e rrjetit.

Sipas Code for Africa, faqja kryesore e rekrutimit është vendosur në një server në Amsterdam, ndërsa faqe të ndryshme të rrjetit janë ndërtuar duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale të kompanive me bazë në Shtetet e Bashkuara dhe Suedi.

Edhe procesi i aplikimit kalon përmes teknologjive perëndimore. Të dhënat personale që kandidatët vendosin në formularët e aplikimit, sipas hulumtimit, mblidhen përmes një programi të një kompanie austriake dhe më pas dërgohen drejt Rusisë.

Kjo do të thotë se mekanizmi i rekrutimit nuk mbështetet vetëm në sisteme apo platforma ruse, por përdor një zinxhir shërbimesh teknologjike perëndimore për të identifikuar kandidatët, për t’i kontaktuar dhe më pas për të mbledhur të dhënat e tyre.

Code for Africa vlerëson se kompanitë teknologjike kanë mundësi të ndërhyjnë ndaj një pjese të konsiderueshme të këtij rrjeti, pasi shumë prej faqeve dhe llogarive nuk bëjnë përpjekje të mëdha për të fshehur aktivitetin e tyre.

Justin Arenstein, drejtues i Code for Africa, tha se Meta ka hequr tashmë më shumë se 300 fushata reklamuese të lidhura me rrjetet e rekrutimit.

Operacioni, megjithatë, nuk kufizohet vetëm te Facebook-u. Studiuesit zbuluan se edhe kërkimet e kryera nga vende të Bashkimit Evropian mund t’i drejtojnë përdoruesit drejt faqeve të rekrutimit.

Mes kërkimeve të identifikuara ishin terma në rusisht që lidheshin me “kontratë shërbimi” apo “kontratë pune për inxhinierë nga jashtë”, por edhe kërkime në anglisht për mënyrat se si një i huaj mund t’i bashkohet ushtrisë ruse, përfitimet që ofrohen dhe mundësinë e marrjes së shtetësisë ruse.

Raporti evidentoi gjithashtu dallime në mënyrën se si rezultatet e kërkimit të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale të Google shfaqnin paralajmërimet për rreziqet. Sipas studiuesve, në gjuhët e Bashkimit Evropian paralajmërimet shfaqeshin më dukshëm, ndërsa në disa gjuhë të tjera ato pozicionoheshin më poshtë.

Google ka kundërshtuar disa prej përfundimeve të raportit, përfshirë pretendimin mbi shkallën e përdorimit të reklamave të kompanisë nga faqet e identifikuara. Alex McPhillips, zëdhënës i Google për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, tha megjithatë se kompania po shqyrton gjetjet.

“Ne kemi politika dhe sisteme të rrepta për produktet tona, të hartuara për të mbrojtur njerëzit dhe për të siguruar akses në informacion të besueshëm, dhe ndërmarrim masa zbatuese kur identifikojmë shkelje”, deklaroi Google.

Nuk ekziston ende një shifër e përgjithshme e verifikuar në mënyrë të pavarur për numrin e shtetasve të huaj që janë rekrutuar në forcat ruse.

Autoritetet ukrainase, megjithatë, vlerësojnë se rreth 1,700-1,800 persona nga 36 vende afrikane janë rekrutuar për të luftuar në krah të forcave ruse, ndërsa hulumtimi i ri ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si një pjesë e këtyre njerëzve mund të jenë tërhequr drejt Rusisë përmes ofertave të punës dhe premtimeve për të ardhura shumë më të larta se ato që mund të siguronin në vendet e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb