Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmitë e dhëna në GJKKO nga biznesmeni Embro Sulejmani, i cili u arrestua nën akuzën se ka ndihmuar Ergys Agasin për të fshirë gjurmët e takimeve të tij në lokalin e tij, gjatë kohës që ishte në arrati.

Gjatë seancës, Sulejmani ka deklaruar se e njeh Ergys Agasin pasi të dy janë nga Durrësi. Ai ka mohuar të ketë kryer ndonjë vepër penale, duke thënë se nuk e kupton se për çfarë krimi akuzohet.

Sipas dëshmisë së tij, Sulejmani i ka çuar Agasit supë dhe ushqime gjatë periudhës kur ky i fundit ishte person në kërkim.

“Nuk e di çfarë krimi kam bërë. I kam çuar supë e ushqim”, mësohet të ketë deklaruar Sulejmani para gjykatës. Ndërkohë, në dëshminë e tij, oficeri i Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi, është shprehur se nuk mban mend të ketë dërguar akte sekrete, siç dyshohet nga SPAK. Kalluçi dhe Sulejmani u arrestuan në kuadër të një procedimi, ndërsa sot u lanë në burg.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb