Përplasja politike në Kuvend është shoqëruar me deklarata të forta nga deputeti i PL-së, Tedi Blushi, i cili i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke ngritur akuza dhe pikëpyetje lidhur me Ergys Agasin dhe ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni. Blushi deklaroi se sipas tij “arkitektura e shtetit ka rënë”, ndërsa vuri në pikëpyetje funksionimin e institucioneve dhe kërkoi llogari nga kryetari i Kuvendit.
Më tej, deputeti iu drejtua drejtpërdrejt Peleshit me një sërë pyetjesh. “A je filmuar nga Agasi? A je shantazhuar? A do përfundosh dhe ti si Vlora Hyseni? Jep llogari”, u shpreh Blushi. Ai përmendi gjithashtu përgjimet dhe pretendoi se prej tyre është zbuluar se “është kryetar Balla, kryetar”, duke kërkuar përgjigje nga drejtuesi i Kuvendit.
Blushi e ashpërsoi më tej gjuhën, duke thënë se deputetët duhet të marrin një vendim për të ndërprerë funksionimin e Kuvendit. Deputeti demokrat hodhi gjithashtu pretendime se anëtarë të Këshillit të Sigurimit janë të përfshirë dhe iu drejtua Peleshit me një tjetër akuzë. Në përfundim, ai e cilësoi përballjen me mazhorancën si një betejë “kombëtare” dhe “patriotike”.
“Arkitektura e shtetit ka rënë. Nuk mund të flitet për Republikë. Edhe rrjedhimisht s’mund të flasim për Parlament, për më tepër kur edhe kryetari i Parlamentit dyshohet se është filmuar nga Ergys Agasi. Përgjimet treguan se është kryetar Balla, kryetar. A je filmuar nga Agasi? A je shantazhuar? A do përfundosh dhe ti si Vlora Hyseni? Jep llogari. Ato vezë janë pak. Nëse ka ngelur një fije ndërgjegjeje, kyçeni këtë Parlament. Vërini flakën, se është turpi i historisë së këtij vendi. Nuk është çështje Vlora Hyseni, por çështje dinjiteti. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit janë të përfshirë. Kam informacione, zoti kryetar, që je në shantazh. Jep dorëheqjen, ta shpërndajmë këtë Kuvend. Do të jenë shqiptarët që do të marrin fatin e tyre në dorë, si në Kolumbi, ku i treguan vendin një banditi. Nuk ka betejë ligjore me ju, beteja me ju duhet të jetë kombëtare, patriotike.”, tha ai.
Peleshi: E gjitha fantazi
Pas deklaratave të Blushit ka reaguar kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili i ka cilësuar ato si të pabazuara dhe ka ironizuar pretendimet e deputetit opozitar.
“Kujtove se nuk mund t’i bëj replikë? Se ishte tronditëse? Ishte e gjitha fantazi, për piano dhe orkestër”, deklaroi Peleshi. Më tej, duke iu referuar pretendimit për regjistrime, Peleshi tha: “Regjistroje, asnjëherë! Ti mbase po.”.
