Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur në Shtëpinë e Bardhë homologun e tij kinez, Xi Jinping, në një ceremoni të shoqëruar me nderime shtetërore.

Pas ceremonisë, Trump dhe Xi u zhvendosën në Zyrën Ovale, ku nisën takimin dypalësh së bashku me zyrtarë të tjerë amerikanë dhe kinezë. Në qendër të bisedimeve pritet të jenë marrëdhëniet tregtare, inteligjenca artificiale dhe çështja e Tajvanit.

Gjatë deklaratave të tij, Trump u shpreh pozitivisht për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke thënë se është krenar për raportin SHBA-Kinë dhe se të dyja palët do të vazhdojnë të punojnë së bashku.

Nga ana e tij, Xi Jinping theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë vende të ndryshme, por kanë interesa “thellësisht të ndërthurura”. Ai tha se të dy vendet mund të ndërtojnë besim të ndërsjellë dhe të forcojnë bashkëpunimin.

Një nga njoftimet që tërhoqi vëmendjen ishte ftesa e Xi për 100 mijë të rinj amerikanë që të vizitojnë Kinën për programe shkëmbimi dhe studimi gjatë pesë viteve të ardhshme. Detajet e programit ende nuk janë bërë të ditura, por iniciativa shihet si një hap për forcimin e kontakteve mes të rinjve të dy vendeve.

Xi Trump2
Xi Trump2

Xi njoftoi gjithashtu se dy panda do të mbërrijnë në një kopsht zoologjik në Atlanta në ditët në vijim, duke i cilësuar ato si një simbol historik të miqësisë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Takimi zhvillohet pas një tjetër zhvillimi të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike, pasi palët kanë rënë dakord të zgjasin armëpushimin në luftën tregtare deri më 10 janar.

Pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, Trump dhe Xi pritet të marrin pjesë në një darkë shtetërore, ku do të jenë të pranishëm zyrtarë të të dy vendeve, si dhe drejtues të rëndësishëm të industrisë së teknologjisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb