Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur për sot protesta në disa qytete të Kosovës, në kundërshtim me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protestat organizohen nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa platforma “Liria ka Emër” ka publikuar oraret dhe vendet ku do të zhvillohen tubimet.
Përveç Prishtinës, protesta janë paralajmëruar në Podujevë, Prizren, Istog, Rahovec, Kaçanik, Drenas, Deçan dhe Gjilan.
Orari i protestave:
Podujevë – ora 17:00, Sheshi “Zahir Pajaziti”
Prizren – ora 19:00, Shadërvan
Istog – ora 17:00, Parku i qytetit
Rahovec – ora 17:00, Sheshi i qytetit
Kaçanik – ora 17:30, Sheshi i qytetit
Drenas – ora 17:30, Sheshi “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”
Deçan – ora 17:00, Qendra e qytetit
Gjilan – ora 17:00, para Teatrit të qytetit
Prishtinë – ora 21:00, Sheshi “Skënderbeu”
Protestat vijnë pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Sipas aktgjykimit, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Organizatorët kanë deklaruar se përmes protestave synojnë të kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Speciale dhe të shprehin qëndrimin e tyre ndaj dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së.
