Përveç bilancit direkt, një tjetër element që bie në sy përpara kësaj sfide është diferenca në vlerën e skuadrave. Sipas vlerësimeve të tregut, Shqipëria ka një vlerë totale prej rreth 100.18 milionë eurosh, ndërsa Bjellorusia vlerësohet në rreth 19.60 milionë euro.
Diferenca mes dy përfaqësueseve shkon në më shumë se 80 milionë euro, duke e bërë skuadrën kuqezi rreth pesë herë më të vlefshme në treg. Edhe në aspektin individual diferenca është e dukshme. Anis Mehmeti është lojtari me vlerën më të lartë të tregut te Shqipëria, me kartonin e tij që vlerësohet në 15 milionë euro. Mesfushori ofensiv, i cili aktivizohet te Ipsuiç Taun, është ndër emrat kryesorë sa i përket vlerës së skuadrës shqiptare.
Në kampin bjellorus, lojtari më i shtrenjtë është portieri Fedor Lapoukhov, pjesë e CSKA Sofia, me një vlerë tregu prej 2.5 milionë eurosh. Kjo do të thotë se Mehmeti vlerësohet rreth gjashtë herë më shumë se portieri bjellorus. Kështu, përpara përballjes Shqipëri-Bjellorusi, statistikat sjellin një panoramë interesante, ku kuqezinjtë kanë avantazhin në bilancin e ndeshjeve direkte, kanë fituar dy përballjet e fundit dhe, në të njëjtën kohë, kanë një diferencë të konsiderueshme në vlerën e lojtarëve në treg.
