Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se reforma në drejtësi dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë janë një arritje që, sipas tij, i takon atij dhe Partisë Socialiste.
Në një adresim të tij, Rama tha se qeveria mori përsipër “aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë” nga pushteti politik te një drejtësi e pavarur, duke pranuar edhe mundësinë që kjo reformë të prekte njerëz në radhët e vetë mazhorancës.
Kreu i qeverisë deklaroi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri po shfaq për herë të parë aftësi për vetëpastrim dhe se autorësinë politike të kësaj arritjeje nuk e negocion me askënd. Rama theksoi se reforma nuk do të ishte realizuar në të njëjtën mënyrë vetëm nga presioni apo ndihma e partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tij, SHBA dhe BE kanë dhënë një ndihmë të rëndësishme, por pa angazhimin e tij dhe të Partisë Socialiste, “do kishin bërë të njëjtin Noc Rrok që bënë me qeveritë e mëparshme”.
Rama: Morëm përsipër aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë, nga duart e pushtetit politik që e mbante atë shpatë qysh prej vitit 1912, në duart e një pushteti të ri, atij të drejtësië së çliruar e të pavarësuar me vullnetin tonë.
E bëra unë atë dorëzim jo se isha naiv, as se nuk e dija që ajo shpatë do të kërkonte koka në radhët tona, po sepse ishte e imja, e jona dhe e askujt tjetër, barra e asaj sakrifice të madhe politike, po njëkohësisht investimi të madh, strategjik dhe vendimtar, për të ardhmen demokratike dhe europiane të Shqipërisë.
Ndërsa sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, vetë sistemi institucional i Shqipërisë po shfaq aftësi vetëpastrimi që s’i ka pasur kurrë, kjo është një arritje e madhe kombëtare, autorësinë e të cilës, ndjesë, po nuk e negocioj me askënd; është imja dhe e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli. Nuk e solli koha. As Amerika apo Europa. Ata ndihmuan po, madje shumë, por pa mua dhe Partinë Socialiste ata do kishin bërë të njëjtin Noc Rrok që bënë me qeveritë e mëparshme, deri ditën kur ne i hymë atij deti në këmbë – apo që po bëjne me disa qeveri të tjera rrotull në rajon.
Dhe padyshim, nuk e solli pavarësinë e drejtësisë PeDeja, sorrat, korbat e dështakzemërakët, që sot bërtasin “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni” dhe e shikojnë SPAK-un si armën e vetme fatale kundër meje, që i kam mundur e mundur në çdo zgjedhje, e që i mund në këto betejat e shpifura të arenës politike dhe mediatike te akuzave e të shpifjeve, sa herë u gënjen mendja se më zunë ngushtë e ma bënë gropën.
Po natyrisht, nuk është mundja e tyre që ma prish gjumin dhe asfare nuk është gjelfryrja e pulëkakarisja e tyre e rastit, arsyeja e këtij adresimi të posaçëm.
Ky adresim lidhet me çka po ndodh me korrupsionin e me drejtësinë, e cila është një prej rezultateve historike të misionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Korrupsioni vazhdon të jetë një hije e rrezikshme përgjatë rrugës sonë, por ndryshimi historik është se ai sot përballet me një tjetër sistem, ku janë formësuar e po zhvillohen organe që hetojnë, akuzojnë, gjykojnë dhe konfiskojnë në liri e pavaresi të plotë.
Deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin dhe ky është një ndryshim epokal që ka nisur.
