Një stuhi e fuqishme goditi bregun lindor të SHBA-së duke i detyruar banorët të përgatiteshin për rrezikun e përmbytjeve të mëtejshme. Rrugë dhe prona të ndryshme u përmbytën në Long Island të Nju-Jorkut. Stuhia e fuqishme detyroi kompanitë ajrore të anulonin mbi 400 fluturime dhe la pa energji elektrike më shumë se 100,000 shtëpi e biznese.
“Do të jetë stuhia ime e parë. Kështu që jam vërtet kureshtar të shoh se çfarë do të ndodhë, sepse nuk jam gjendur kurrë më parë në një situatë të tillë. Presim shumë shi sot, ndaj po i ngremë gjërat lart që të mos dëmtohen apo diçka e tillë.”-u shprej një prej banorëve në Neë York.
“Kjo stuhi është po aq e rëndë sa ajo që patëm pak para Krishtlindjeve të vitit 2022. Kemi pasur shumë reshje dhe jam disi i shqetësuar për atë që do të ndodhë sonte dhe nesër në mëngjes.”-u shpreh një tjetër banor vendas.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA njoftoi se stuhia e fuqishme do të sjellë përmbytje bregdetare, rryma të rrezikshme detare (rip currents), erëra të forta dhe reshje të dendura shiu deri të hënën (28 shtator).
Të premten (25 shtator), guvernatorët e Nju-Jorkut dhe Nju-Xhersit shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në qarqet ku pritej të ndihej më së shumti ndikimi i stuhisë, përfshirë qytetin e Nju-Jorkut.
