Sot shënohet dita e 120-të e protestës qytetare. Qytetarët kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të marshojnë përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë.
Një prej protestuesve tha se nuk do të ndalet me përfundimin e 120 ditëve, por do të vijojë të qëndrojë në protestë deri në largimin e atyre që, sipas tij, kanë shkatërruar vendin.
“Prindërit e mi kanë punuar 45 vite në uzinën ushtarake dhe marrin pension qesharak. Këtu do të rri jo 120 ditë, por deri sa të ikin plehrat që kanë shkatërruar Shqipërinë”, u shpreh ai.
Protestuesi tha se problemet ekonomike dhe sociale vijojnë të rëndojnë mbi qytetarët, ndërsa sipas tij, shumë fshatra dhe qytete të vogla janë braktisur.
“Kam qenë i vogël kur u ndërrua sistemi dhe sot ende shqiptarët vuajnë për bukën e gojës. Fshatrat dhe qytetet e vogla janë braktisur”, deklaroi protestuesi.
