Në ditën e 120-të të protestës qytetare, aktivistja Sidorela Vatnikaj ka përsëritur kërkesat e protestuesve, duke deklaruar se ata do të vijojnë të qëndrojnë në shesh deri në plotësimin e tyre.

Vatnikaj tha se protesta ka nisur si kundërshtim ndaj, sipas saj, dhunës shtetërore, korrupsionit dhe ndikimit të oligarkëve në vendimmarrje.

Aktivistja u shpreh se gjatë këtyre katër muajve, në protestë janë mbledhur qytetarë që, sipas saj, nuk e ndajnë Shqipërinë në grupe politike dhe nuk e shohin vendin si “plaçkë”. Ajo theksoi se gjatë protestës qytetarët kanë treguar, sipas saj, se mund të bashkohen dhe të përballojnë presionet. Vatnikaj deklaroi se protestuesit do të vijojnë tubimet çdo ditë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“120 ditë revoltë kundër dhunës shtetërore dhe oligarkisë ekonomike.

Të mos harrojmë arsyet që na nxorrën në shesh, të mos harrojmë dhunën në Zvërnec, korrupsionin qeveritar, qeverisjen nga bandat, oligarkët që kanë privatizuar të mirat publike.

Në 4 muaj kemi protestuar, në këtë shesh janë mbledhur shqiptarë të revoltuar që nuk e ndajnë Shqipërinë në grupe, që nuk e  shohin mëmëdheun si plaçkë dhe protestën si mjet për të arritur synimet e tyre por si mundësi historike që Shqipëria të jetë republike demokratike.

Në këtë shesh për 4 muaj kemi treguar se ia dalim edhe të bëhemi bashkë e të besojmë te njëri-tjetri. Në shesh por 4 muaj që ta thonim troç që jemi kundër këtij sistemi dhe që kemi ardhur pavarësisht çdo presioni.

Jemi e do të jemi këtu çdo ditë deri në plotësimin e  kërkesave tona të pakundërshtueshme.

Kjo protestë ka qenë një shuplakë për trazicionin politik. Jemi këtu t’i themi fund autokracisë së Ramës dhe Berishës”, tha ajo.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb